Autoriteti i aviacionit civil të Paraguajit nisi snjë hetim për fluturimin LA1325 të LATAM Airlines, kapiteni i të cilit u detyrua të bënte një ulje emergjente pasi pa hundën e avionit duke u shpërbërë mes një stuhie të fortë.

Airbus A320 që i përkiste degës së sipërpërmendur të linjës ajrore në Paraguaj (LATAM Airlines Paraguay) u përball me mot ekstrem të mërkurën vonë në mbrëmje, ndërsa fluturonte nga Asuncion në Santiago, Kili.

Videot e publikuara në rrjetet sociale tregojnë momentet e frikshme për pasagjerët teksa avioni dridhet dhe rrufeja shkrep nga dritaret.

Avioni u kthye në kryeqytetin e Paraguajit dhe u ul i sigurt, pa lëndime në pasagjerë apo anëtarë të ekuipazhit. Megjithatë pamjet e hundës së shpërbërë dhe të çarave në xhamin e kabinës janë tronditëse.

Kreu i agjencisë së aviacionit civil të Paraguajit (DINAC) tha se avioni u ndesh me një “stuhi të paprecedentë”.

Nga ana e saj, linja ajrore theksoi se “pasagjerët dhe anëtarët e ekuipazhit janë mirë” dhe se Airbus A320 u detyrua të bënte një ulje emergjente rreth orës 23:00 (me orën lokale) për shkak të “kushteve të motit ekstrem”.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re