Nga: Sali Shasivari

Evokimi – me fakte dhe argumente – i historive – të vjetra dhe të reja – të errëta të njerëzimit, të cilat prodhuan – dhe vazhdojnë të prodhojnë – padrejtësi, urrejtje, eksploatim, luftëra, gjakderdhje, shkatërrime, krime, gjenocide, dhe shumë fatkeqësi tjera, është metodë e mirë dhe tejet e rëndësishme për t’i emërtuar gjërat me emrat e vërtetë, si dhe, për t’ia treguar çdokujt vendin e merituar…!

‘Kryqëzatat’ (1095-1291), të cilat shkaktuan miliona viktima (historianët përmendin shifrën prej 1 deri 9 milionë viktima), si dhe shumë dëme tjera…!; ‘Inkuizicioni’ (shek. XII-XIX) – me gjitha fazat e tij – që mori shumë jetë njerëzish, duke përfshirë shumë personalitete të kulturës, shkencës dhe artit…!; ‘Inkuizicioni Spanjoll’ (shek. XV), i cili u bë i famshëm për ‘artin e torturës’, dhe i cili konvertoi me dhunë, persekutoi, dhe dëboi qindra mijëra muslimanë dhe hebrenj nga Andaluzia e dikurshme…!; ‘Vala e parë e ‘ekspeditave’ kolonialiste dhe misionare evropiane’, e njohur si Kolonializëm i Kolonëve (shek. XV-XIX), që konvertoi me dhunë, bëri kulturocid (duke zhdukur kultura dhe civilizime të tëra), bëri eksploatim të paparë, si dhe shkaktoi miliona viktima në Amerikën Veriore (kështu, disa studjues nga University College London-UCL vlerësojnë se, kolonët evropianë, për rreth 100 vjet – që kur arriti Kristofer Kolombo/ Cristopher Columbus në 1492 në brigjet e Amerikës, deri në vitin 1610 – vranë rreth 56 milion njerëz autoktonë në Amerikën e Jugut, Qendrore dhe Veriore, që i bie 10 % të popullatës së përgjithshme botërore të asaj kohe; shih: https://edition.cnn.com/2019/02/01/world/european-colonization-climate-change-trnd/index.html#:~:text=European%20settlers%20killed%2056%20million,London%2C%20or%20UCL%2C%20estimate)…!; ‘Vala e dytë kolonialiste evropjane’, e njohur si Kolonializëm Eksploatues / Shfrytëzues (pjesa e dytë e shekullit XIX, deri pas gjysmës së shekullit XX), që shkaktoi kulturocid, skllavërim, bëri eksploatim të paparë të resurseve (kështu, historiani dhe akademiku i njohur guianez, Walter Rodney, në librin e tij të njohur me titull “How Europe Underdeveloped Africa”/”Si ndikoi Evropa në Moszhvillimin/Prapambetjen e Afrikës”, hedh tezën se, ‘gjurmët e varfërisë në kontinentin afrikan kthehen në shfrytëzimin evropian të burimeve afrikane’), si dhe, shkaktoi miliona viktima (kështu, Mbreti Leopold II i Belgjikës, i cili e sundoi Kongon në mes viteve 1885 deri 1908, mendohet se ka vrarë diku rreth 10 milion kongolezë; francezët vranë mbi 1.5 milion algjerianë përgjatë kolonizimit të tyre në Algjeri; etj.) …!; ‘Ideologjitë nacionaliste’, të cilat shkaktuan Luftën e Parë Botërore (1914-1918), e cila rezultoi me vdekjen e rreth 20 milion njerëzve, prej të cilëve, rreth 10 milion ushtarë dhe rreth 10 milion civilë)…!; ‘Ideologjitë marksiste, leniniste, bolsheviste dhe staliniste’, të cilat shkaktuan miliona viktima (kështu, vetëm diktatori rus Jozef Stalin mendohet të ketë vrarë diku prej 20 deri 40 milion njerëz, në mesin e tyre shumë muslimanë)…!; ‘Ideologjia fashiste dhe naziste’, e cila shkaktoi Luftën e Dytë Botërore (1939-1945), dhe, e cila rezultoi me vdekjen e rreth 75 milion njerëzve, prej të cilëve, rreth 20 milion ushtarë, dhe rreth 55 milion civilë…!; ‘Dy kampet’, si dhe ideologjitë e tyre përgjatë periudhës së ‘Luftës së Ftohtë’ (1945-1989), të cilat shkaktuan shumë ‘luftëra të nxehta’ në kurriz të popujve tjerë… me ç’rast, numri i luftërave dhe konfliketeve gjatë kësaj periudhe tejkalon shifrën 115; luftëra dhe konflikte këto të cilat shkaktuan miliona viktima…!; Ideologjia Komuniste’, që persekutoi, internoi dhe zhduki miliona njerëz (kështu, vetëm Mao Ce Dun, Kryetar i Partisë Komuniste të Kinës, mendohet të ketë vrarë mbi 50 milionë njerëz)…!; etj., janë vetëm një pjesë e vogël nga lista e gjatë e ngjarjeve makabre dhe të përgjakshme kundër njerëzimit, të cilat u nxitën dhe u shkaktuan nga ana e ‘idhujve’ dhe ‘ideologjive’ të ndryshme përgjatë historisë më të re…!

Mbase, tragjedia njerëzore, e shkaktuar nga ‘idhuj’ dhe ‘ideologji’ – të njejta, të ngjashme, apose të reja – vazhdon edhe në ditët e sotme; ndonëse, me mjete tjera, dhë nën parulla dhe moto të ndryshme (në disa raste edhe mirakëndëse)…!

Kështu për shembull, mjafton të përcjellësh prapavijën e ngjarjeve të përgjakshme në Palestinë, Siri, Jemen, Libi, Mijanmar, Kashmir, Indi, Turkistan Lindor (gjegjësisht, në provincën Sinkiang / Xinjiang – Rajon Autonom i Ujgurëve në Kinë), Ukrainë, si dhe shumë e shumë vende tjera, me ç’rast, do të kuptosh se Huntington nuk pati të drejtë kur tha se ‘me mbarimin e ‘Luftës së Ftohtë’, epoka e ideologjisë kishte mbaruar, dhe se boshti kryesor i konfliktit në të ardhmen do të jetë përgjatë vijave kulturore’.…; duke e vënë theksin mbi të ashtuquajturin ‘Rizgjim Islam’ (‘Islamic Resurgence’)!

Përkundrazi, ne jemi dëshmitarë të vazhdimit të padrejtësive dhe krimeve të shumta të cilat po ia shkaktojnë njerëzimit ‘idhujt’ dhe ‘ideologjitë’ e ndryshme, mirëpo, kësaj rradhe, nën parullën e ‘luftës ndaj terrorit’, ‘demokratizimit’, ‘demilitarizimit’, etj…; dhe se, ndër viktimat kryesore të këtyre padrejtësive dhe krimeve janë muslimanët (mjafton ta soditish hartën e konflikteve aktuale në botë, që ta kuptosh një realitet të këtillë), si dhe disa popuj tjerë jomusliman të pafajshëm…!

Kështu, me mbarimin e ‘Luftës së Ftohtë’, përgjatë viteve të nëntëdhjeta të shekullit të kaluar, filluam të dëgjojmë terme të llojit ‘fundamentalistë islamik’, ‘islamistë radikal’, ‘xhihadistë’, etj.!

Madje, pas ngjarjeve të 11 Shtatorit 2001, dhe fillimit të të ashtuquajturës ‘Luftë kundër terrorit’ (‘War on terror’), mediat filluan të promovojnë me të madhe togfjalëshin ‘terrorizëm islamik’…!

Nën hijen e këtij demonizimi me përmasa linçuese, si dhe, nën hijen e realitetit të çmendur botëror, ‘blloqet’ e dikurshme vazhduan ‘luftërat proxy’ / ‘proxy warfares’ (që nënkuptojnë përplasje të armatosur mes dy apo më shumë grupesh apo vendesh, që përfaqësojnë interesat e vendeve më të mëdha), përmes të cilave, ‘fuqitë e mëdha’, ndanin sferat e interesit, dhe, shkatërronin popuj dhe vende të tëra, edhe atë, nën paravanin e ‘luftës kundër terrorizmit’!

Kështu, nën slloganin e ‘luftës kundër terrorizmit islamik’, si dhe arsyetimeve tjera të falsifikuara, fuqitë perendimore shkatërruan disa popuj dhe shtete, duke përfshirë Somalinë, Afganistanin, Irakun, Jemenin, Libinë, etj.; Rusia shkatërroi Çeçeninë, Sirinë, Libinë, etj.; Kina shkatërroi Turkistanin Lindor; India shkatërroi Kashmirin dhe popullatën muslimane vendase…’ etj., etj. Të gjitha këto palë, bënë aq shumë shkatërrime dhe krime, sa që, çdonjeri prej tyre, e humbi të drejtën morale dhe ‘ujin në fytyrë’ per ta akuzuar palën tjetër ‘partnere në krim’…!

Në këtë mënyrë, përmes sakrifikimit të muslimanëve, ata, në realitet, mbuluan krimet e veta historike dhe aktuale; duke i shndërruar muslimanët në ‘të akuzuarit më të mëdhenj’, si dhe në ‘viktimat më të mëdha’, në të njejtën kohë…! Kështu, sipas një raporti të ri nga projekti ‘Costs of War’/‘Kostot e Luftës’ të Universitetit Braun/Brown në SHBA, prej Shtatorit të vitit 2001, të paktën 37 milion njerëz janë zhvendosur si rezultat i drejtpërdrejtë i luftërave të zhvilluara nën moton ‘Lufta Kundër Terrorit’ (shih: https://www.nytimes.com/2020/09/08/magazine/displaced-war-on-terror.html)…! Kjo, përreth miliona viktimave dhe të plagosurve… Ndërsa, sa i përket numrit të viktimave, dëmeve sociale, psikologjike, kulturore, ekonomike, etj., ‘fol e mos u turpëro’…!

Ky ‘terrorizëm’ dhe ky ‘terror’ shtetëror dhe sistematik që po ushtrohet përgjatë tri dekadave të fundit, në pjesën më të madhe të rasteve ju mveshet muslimanëve dhe Islamit, përmes togfjalëshit të njohur ‘terrorizëm islamik’, të cilin jemi mësuar ta dëgjojmë në vazhdimësi; atribut ky, i cili, çuditërisht, nuk përdoret për asnjë fe / apo përkatës të ndonje feje tjetër…!

Ndërsa, në rastet kur pamundësohet ndërlidhja e tij me Islamin dhe muslimanët, mbulohet, maskohet ose emërohet me emra tjerë, shpeshherë ‘mirakëndës, si “demokratizim”, “çlirim”, “de-militarizim”, etj.!

Në këtë mënyrë, ‘rizgjimi islam’, i cili qe produkt i imagjinatës ‘hantingtoniane’, u shfrytëzua si paravan për t’i mbuluar luftërat dhe krimet që bëjnë cionistët dhe neo-evangjelistët në Lindjen e Mesme (herë me qëllim të rikthimit të Tempullit të Davidit dhe të Solomonit, e herë në emër të Armageddonit dhe Mesias / Shpëtimtarit), si dhe, luftërat dhe krimet që po bëri – dhe po bën – ‘ariu rus’ dhe klika e tij në emër të ‘pan-ortodoksizmit’…!

Dallimi në mes të ‘rizgjimit islam’, të paketuar nën emrin ‘terrorizëm islamik’, si dhe rrezikut ‘cionist’, atij ‘neo-evangjelist’, dhe atij ‘ultra ortodoks’, qëndron në atë se, “rreziku” i parë është fiktiv, imagjinativ, i nxitur, i sajuar, i krijuar, dhe me potencial të ‘eksplozionit të brendshëm’… Ndërsa, llojet tjera, janë reale, të provuara përgjatë historisë më të vjetër dhe më të re, dhe me pasoja apokaliptike (në kuptim të numrit të viktimave, nivelit të destruktivitetit…etj.)!

Madje, përreth gjithë kësaj, ata u munduan të na bindin se, disa individë me maska, me thika, me shpata, dhe me disa ‘rrypa eksploziv’ primitiv, paraqesin rrezik më të madh për botën dhe planetin se sa shtete të tëra, të cilat posedojnë mjaftueshëm koka nukleare sa për ta shkatërruar planetin disa herë… (sidomos kur kemi parasyshë faktin se, disa sosh prej tyre janë përdorur në praktikë, siç ishte Hiroshima dhe Nagasaki, si dhe shumë raste tjera të izoluara – në tokë e në dete – që nuk dihen…); bile-bile, ata u munduan të na bindin se, këto armë nukleare janë në ‘duar të sigurta’, dhe se, sfida e vetme qëndron në mosrënien e këtij lloj armatimi në ‘duar të gabuara’…!

Kur e panë se një verzion i këtillë nuk po ‘shitet në treg’, dhe duke marë parasyshë faktin se ‘terrorizmi’ si fenomen dhe si praktikë, në esencë, është sistematik dhe me përmasa shtetërore…; ata sajuan të ashtuquajturat ‘shtete islamike’, edhe atë, herë nën emërtimin ‘shteti islamik në Irak’, herë nën emërtimin ‘shteti islamik në Irak dhe Levant (Sham)’, herë nën emërtimin ‘shteti islamik në Saharën e Madhe’, etj.!; “shtete islamike” këto, për të cilat, përpos që nuk u zbulua enigma e ‘ngritjes’ dhe ‘zhdukjes’ së të njejtave…, nuk u shpjegua kurrë as edhe fakti se, pse viktimat kryesore të këtyre “shteteve islamike” ishin vetë muslimanët…?!

Qasjet e këtilla tendencioze, si dhe, përzierja e letrave dhe fakteve në këtë mënyrë, me qëllim dhe me paramendim, e sollën njerëzimin në këtë situatë në të cilën gjendet…!

Po qe se, bota e ‘civilizuar’, përgjatë viteve dhe dekadave të fundit, në vend se të merrej me iluzione (duke i fryer, duke e nxitur, dhe duke e propaguar rrezikun imagjinar të ashtuquajtur ‘terrorizëm islamik’), fokusohej ndaj rreziqeve të vërteta të ‘policëve’ dhe kryekriminelëve botëror…; bota do të ishte vend më i mirë dhe më i sigurt për të jetuar…! Madje, sot, nuk do të ballafaqoheshim me kërcënime dhe rreziqe nukleare dhe bërthamore të llojit që po i dëgjojmë ditëve të fundit nga ana e Putinit dhe homologëve të tij, të cilët mbajnë pranë vetes ‘çantat’ famëkeqe me ‘kode’ dhe ‘butonë të kuq’…!

Nën hijen e kësaj që u tha, dhe shumëçkahit tjetër që mbeti pa u thënë, nuk duhet të na habitë fakti se, pse deri sot, nuk ka ndonjë marrëveshje universale për përkufizimin e ‘terrorizmit’ si nocion dhe akt…!

Kështu, shtetet dhe qeveritë kanë hezituar të formulojnë një përkufizim të rënë dakord, dhe ligjërisht të detyrueshëm; kjo, ngase, qasja politike ndaj termit ‘terrorizëm’ aktualisht mbizotëron mbi atë juridik dhe moral. Andaj, sisteme të ndryshme ligjore dhe agjenci qeveritare përdorin përkufizime të ndryshme të terrorizmit, në të cilat, shumë kritere të dhunës ose kërcënimit të dhunës zakonisht lihen jashtë atyre përkufizimeve. Në mesin e kritereve që bien jashtë atyre përkufizimeve të ‘terrorizmit’, është: ‘Koha e luftës (përfshirë një luftë të shpallur), ose akte dhune në kohë paqeje, të kryera nga një shtet komb kundër një shteti tjetër komb, pavarësisht nga ligjshmëria ose paligjshmëria e tyre’. (shih: https://en.wikipedia.org/wiki/Definition_of_terrorism).

Mbase, shumëkujt, nuk i konvenon një marrëveshje universale për përkufizimin e termit ‘terrorizëm’ si dhe ‘akteve terroriste’…!

Së këndejmi, mund të konstatojmë – pa kurrëfarë dyshimi – se, ‘terrori’ dhe ‘terrorizmi’ nuk janë atribute të Islamit, por janë prodhim i ideologjive dhe qarqeve tjera sataniste; dhe se, ishin – dhe janë – ideologjitë e devijuara dhe qarqet sataniste ato të cilat i shkaktuan – dhe vazhdojnë t’i shkaktojnë – njerëzimit fatkeqësitë më të mëdha dhe dëmet më fatale… Ndërsa, në mesin e viktimave kryesore të këtyre fatkeqësive ishin – dhe vazhdojnë të jenë – e vërteta dhe njerëzit e pafajshëm…!

Për pasojë, dhe, si rezultat i kësaj çmendurie që po shohim ditëve të fundit, do të vazhdojë ‘garimi në armatim’ (arms race), duke marë për bazë dhe njësi matëse jo vetëm faktin se cila superfuqi posedon arsenalin më të madh të armatimit konvencional, por, cili shtet apo superfuqi posedon sasi më të mëdha të armatimit jo-konvencional, duke përfshirë këtu raketat ‘balistike interkontinentale’, si dhe ‘kokat nukleare’(me ç’rast, disa sosh prej tyre mburren se posedojnë aq shumë arsenal nuklear, sa që janë në gjendje ta shkatërrojë globin disa herë më shumë se sa tjetri)…!

Ndërsa, në ndërkohë, do të vazhdojnë akuzat ndaj “terrorizmit islamik”, duke i akuzuar viktimat për krimin e pabërë…!

Në anën tjetër, kutet dhe standardet e shumëfishta të cilat përdoren në përshkrimin e të njejtave veprime, me ç’rast, lufta mbrojtëse dhe rezistenca e popujve muslimanë quhet ‘terrorizëm’, ndërsa, lufta e ukrainasve – duke përfshirë edhe mercenarët e huaj – konsiderohet ‘akt i madh demokratik’…, janë aq të neveritshme, sa që, të bëjnë të vjellësh…!

Kur kësaj ia shton edhe hipokrizinë e shumë qarqeve, të cilat nuk bëzanë karshi qindra mijëra dhe miliona viktimave në Lindjen e Mesme dhe gjithandej; ndërsa, në rastin e fatkeqësisë së Ukrainës, mundohen ta mobilizojnë opinionin e përgjithshëm edhe përmes frazave raciste dhe neo-naciste (siç ishte rasti i deklaratave të disa funksionarëve dhe gazetarëve)…!

Nën hijen e gjithë këtij realiteti të hidhur, nuk ke se si të mos rrënqethesh, kur kupton faktin se, në ç’farë bote të shëmtuar jetojmë…!

Përderisa gjërat nuk emërtohen me emrat e vërtetë, dhe, përderisa ushtrohen padrejtësi, kute të shumëfishta, islamofobi, hipokrizi, krime, etj., dhe përreth gjithë kësaj, shumëkush vazhdon ‘ta hajë turpin me bukë’…; njerëzimi nuk do të gëzojë paqe, mirëqenie, dhe rehati…!

Mirë se vini në botën e epokës ‘post-moderne’, ’post- të vërtetës’, ‘post-humane’, dhe ‘post-njerëzore’…!!!

Pikëpamjet dhe opinionet e shprehura në këtë material janë tërësisht të autorit/autorëve dhe jo domosdoshmërisht reflektojnë politikat e Berati.TV.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re