Kryedemokrati Lulzim Basha ka reaguar pas deklaratës së kryeministrit Edi Rama, se për testet në Shqipëri vendos Komiteti Teknik për COVID-19 dhe jo qeveria.
Kryedemokrati ka ripërsëritur thirrjen e opozitës për të rritur numrin e testimeve, ndërsa i kërkon Ramës që të heqë dorë nga sulmet ndaj opozitës.
“Testimi masiv është e vetmja mënyrë për të zbuluar sa thellë është futur virusi në familjet tona. Pa testuar, pa gjurmuar, pa izoluar, pasojat do të jenë shumë të rënda! KM po fshihet pas një komiteti teknik, me shpresë që njerëzit mos ta shohin se sa i papërgatitur është. Është përgjegjësi e qeverisë që të mbrojë shëndetin e njerëzve, të pajisë me mjetet e duhura ekipet mjekësore dhe të mbajë në këmbë ekonominë. Sulmet kundër opozitës nuk i fshehin dot dështimet e tij”, deklaroi Lulzim Basha.
Më herët, kryeministri tha se strategjia e testimit është detyrë e Komitetit Teknik që udhëheq luftën në vijën e zjarrit dhe jo e qeverisë.
“PD s’mund të japë mend as për tabelën e shumëzimit, jo më për strategjinë e testimit! Strategjia e testimit është detyrë e Komitetit Teknik që udhëheq luftën në vijën e zjarrit. Detyra e politikës, qeverisë a opozitës është të dëgjojë dhe mbështesë ekspertët. Të tjerat janë 7×7=42“, tha Rama.