Prokuroria e Tiranës nis hetimet ndaj Spitalit Amerikan për shkak të analizave që ky subjekt privat po kryen për COVID-19.

 

Kryeprokurorja e Tiranës, Elisabeta Imeraj, konfirmoi për “Vizion Plus” se Policia e Shtetit ka bërë një kallzim pranë organit të akuzës për të nisur hetimet për mashtrimet që po iu behen qytetarëve shqiptare me testet, në kushtet e pandemise.

 

Mësohet se Prokuroria e Tiranës do të hetojë subjektin privat, Spitali Amerikan, sipas nenit 267 të Kodit Penal për përhapjen e informatave të rreme që ngjallin panik si dhe bazuar ne nenin 174 të Kodit Penal për kontrabande me mallra të tjera.

 

Organi i akuzës do të hedhë shortin për të caktuar se cili prokuror do të hetojë këtë skandal korruptiv.

 

Spitali Amerikan prej ditësh ka nisur të kryejë analiza gjaku me anti-korpe për të identifikuar nëse një person është i prekur apo jo nga koronavirusi.

 

Sipas drejtuesit të këtij spitali, Klodian Allajbeu, ata mund të kryenin deri në 4 mijë analiza në ditë.

 

Albana Daka, mjeke laboratori në Spitalin Amerikan, në një intervistë për mediat e vendit pohoi se një analizë kushton nga 150 deri në 300 euro.

 

Zyrtarisht ky test kryhet vetëm nga Instituti i Shëndetit Publik, analizë që bëhet përmes tamponeve nazo-faringial dhe jo përmes gjakut.

 

ISHP ka ekskluzivitetin në Shqipëri për të kryer këtë lloj analize pasi duhet certifikimi nga Organizata Botërore e Shëndetësisë. Asnjë spital privat në Shqipëri nuk është certifikuar nga OBSH për këtë lloj analize.

 

Një ditë më parë, Ministria e Shëndetësisë sqaroi të gjithë qytetaret, se analizat për  COVID-19, nuk mund të kryhen nga asnjë spital apo laborator privat në Shqipëri.

 

Në një reagim të saj Agjencia Kombëtare e Barnave saktësoi se deri më tani nuk ka lëshuar asnjë certifikate regjistrimi për diagnostifikimin e koronavirusit.

 

Më heret, shefja e Gjurmimit Epidemiologjik, Eugena Tomini konfirmoi për “Vizion Plus” se kjo analizë kryhet vetëm në ISHP.

 

EUGENA TOMINI

DREJTUESE E GJURMIMIT EPIDEMIOLOGJIK, ISHP

 

Në këto kushte, Spitali Amerikan po kryen analiza të pakonfirmuara nga OBSH dhe nga instancat shtetërore, e mbi të gjitha që këto analiza nuk kanë rezultat dhe nuk tregojnë asgjë.

 

Në këto kushte Spitali Amerikan ka shfrytëzuar panikun dhe frikën e qytetarëve duke shpikur një analizë që kushton sa një pagë mujore mesatare në Shqipëri për të zhvatur para nga qytetarët.

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re