Skip to content

Tetë kualifikime në Europë, nga klubet shqiptare kryeson…Dinamo

dinamo3

Rrugëtimi i skuadrave shqiptare në Ligën e Konferencës gjatë sezoneve të fundit tregon një bilanc me më shumë vështirësi sesa kalime turi.

Nga 23 përballje europiane të zhvilluara në turin e dytë, tretë dhe “play off”(jo turi i parë), klubet e Superiores kanë arritur të sigurojnë 8 kualifikime, ndërsa 15 herë janë eliminuar. Në përqindje, suksesi shqiptar në këto duele shkon në 34.8%. Skuadra që ka dhënë paraqitjen më të mirë është Dinamo, e cila ka siguruar tri kualifikime.

Blutë kanë kaluar Atlètic Club d’Escaldes, kanë bërë një përmbysje të madhe ndaj Hajduk Splitit, duke kaluar më tej pas humbjes 2-1 në Kroaci dhe fitores 3-1 në Tiranë, si dhe këtë sezon kanë eliminuar NK Aluminijin. Dy kualifikime i ka regjistruar Partizani, që në sezonin 2023/24 kaloi dy ture radhazi. Të kuqtë eliminuan Atlètic Club d’Escaldes dhe më pas Valmierën, duke siguruar një nga ecuritë më të mira të klubeve shqiptare në Europë në vitet e fundit.

Një sukses ka edhe Egnatia, e cila në sezonin 2025/26 kaloi Dinamo Minsk, ndërsa Laçi dhe Teuta kanë nga një kualifikim. Laçi eliminoi Universitatean, ndërsa Teuta përmbysi disavantazhin ndaj Inter Club d’Escaldes. Në anën tjetër, Tirana, Vllaznia dhe skuadrat e tjera kanë hasur më shumë vështirësi, duke mos arritur të kalojnë asnjë raund në përballjet e tyre të regjistruara në këtë periudhë.

Bilanci prej 34.8% suksesi tregon se klubet shqiptare kanë bërë hapa përpara në disa momente, por ende mbeten larg një stabiliteti europian. Megjithatë, kualifikimi si ai i Dinamos ndaj Hajduk Splitit dhe kalimet ndaj ekipeve me eksperiencë europiane tregojnë se diferenca me kundërshtarët e huaj nuk është më aq e madhe sa në të kaluarën.