Arabia Saudite ka udhëhequr dënimin e gjerë arab dhe islamik kundër bllokadës së vazhdueshme që Izraeli i ka imponuar Xhamisë Al-Aksa, ndërsa ministrat e jashtëm i kanë kërkuar fuqisë pushtuese që të ndalojë menjëherë mbylljen e portave të këtij kompleksi të shenjtë.
Sipas raportimeve të fundit, ministrat e jashtëm të Arabisë Saudite, Jordanisë, Emirateve të Bashkuara Arabe, Katarit, Indonezisë, Pakistanit, Egjiptit dhe Turqisë kanë paralajmëruar zyrtarisht se Izraeli nuk gëzon asnjë sovranitet mbi Jerusalemin e pushtuar apo mbi vendet e tij të shenjta islamike dhe të krishtera.
Ata deklaruan se kufizimi i qasjes në vendet e adhurimit përbën një shkelje flagrante të së drejtës ndërkombëtare, të drejtës humanitare dhe statusit ekzistues historik e ligjor të qytetit.
Arabia Saudite priu në këtë reagim kolektiv pasi besimtarët u penguan të hyjnë në xhami për të dymbëdhjetën ditë radhazi, një situatë tepër e tensionuar kjo që përkon me muajin e shenjtë të Ramazanit i cili pritet të përfundojë pas pak më shumë se një jave.
Në deklaratën e tyre të përbashkët, ministrat theksuan se kufizimet e sigurisë në aksesin ndaj Qytetit të Vjetër të Jerusalemit, së bashku me masat diskriminuese dhe arbitrare, cenojnë parimin e lirisë së pakufizuar të adhurimit.
Ata rikonfirmuan se e gjithë zona e Al-Aksas, e njohur edhe si Al-Haram Al-Sharif, është një vend i shenjtë ekskluzivisht për myslimanët dhe menaxhohet ligjërisht nga Ministria e Vakëfeve e Jordanisë, e cila ka autoritetin e vetëm për të mbikëqyrur kompleksin.
Përmes Agjencisë Saudite të Shtypit, diplomatët i bënë thirrje komunitetit ndërkombëtar që të kërkojë me vendosmëri ndalimin e shkeljeve izraelite mbi vendet e shenjta.
Ky reagim vjen në një kohë kur Izraeli ka shpallur gjendjen e jashtëzakonshme për shkak të konfliktit me Iranin, ku pas sulmeve ajrore izraelite dhe amerikane në territorin iranian që nga fundi i shkurtit, Irani është përgjigjur me sulme të vazhdueshme me raketa dhe dronë në mbarë rajonin. /tesheshi.com/


