Skip to content

“Tetori Rozë”/ Balla me punonjëset e Policisë së Shtetit: Prioritet sigurimi i aksesit për të gjitha gratë për kryerjen e mamografisë falas

Në kuadër të “Tetorit Rozë”, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale në bashkëpunim me Ministrinë e Brendshme organizuan sot një aktivitet ndërgjegjësues me vajzat dhe gratë e Policisë së Shtetit për kontrollin e hershëm, si dhe pjesëmarrje të gjerë në Programin Kombëtar të Depistimit dhe luftimit të kancerit të gjirit.

Ministri i Brendshëm, Taulant Balla gjatë fjalës së tij u bëri thirrje të gjitha grave pjesë e Policisë së Shtetit, të vendosin shëndetin e tyre përpara çdo gjëje.

“Në Muajin Kombëtar të Ndërgjegjësimit për Kancerin e Gjirit, duhet të jemi të bashkuar, në qëllimin e përbashkët i cili mund çdo ndasi dhe na bashkon si komb në luftën e vërtetë me kancerin e gjirit. Të bëhemi bashkë për të mundësuar që ky mesazh të depërtojë në çdo qytet, njësi administrative, komisariat apo vend pune ku gratë e Policisë së Shtetit i shërbejnë kombit me devotshmëri

Le të nderojmë sot të gjithë ato gra dhe vajza që kemi humbur, dhe natyrshëm t’u ofrojmë forcë atyre që vazhdojnë të jetojnë me këtë sfidë të vështirë të kancerit të gjirit dhe të angazhohemi për të mbrojtur shëndetin e brezave të ardhshëm përfshirë edhe në radhët e Policisë së Shtetit”, nënvizoi ministri.

Balla shtoi se “prioritet mbetet sigurimi i aksesit për gratë në Policinë e Shtetit në diagnostikimin e kancerit nëpërmjet ekzaminimit mamografik”.

“Kjo është arsyeja përse jemi mbledhur këtu sot së bashku me Ministren e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale për të dhënë mesazhin e qartë se jeta e vajzave dhe grave në Policinë e Shtetit vjen e para dhe do të mundësojmë që çdo njëra prej tyre të ketë mundësinë për të bërë diagnostikimin e hershëm”, tha Balla.

Në fjalën e saj, ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu u shpreh se vajzat e gratë të cilat kanë thyer tabutë duke u bërë pjesë në radhët e Policisë së Shtetit, tashmë kanë edhe një detyrë shumë të rëndësishme, ndërgjegjësimit e popullatës për kancerin e gjirit.

Koçiu shtoi se “ndryshe nga lufta me krimin, ajo me kancerin është një betejë ndaj një armiku shumë më të vështirë për t’u identifikuar”.

“Ndryshe nga lufta me krimin, ajo me kancerin është një betejë ndaj një armiku shumë më të vështirë për t’u identifikuar, një armiku që prek mesatarisht një në tetë gra gjatë jetës së tyre, por një armiku që fatmirësisht është gjithmonë e më i lehtë për t’u mundur”, u shpreh Koçiu.

Në 30-vjetorin e lançimit të fjongos rozë, si e para fushatë gjithëpërfshirëse në rang botëror, Koçiu apeloi që të bëhen më shumë përpjekje për të siguruar suksesin e Programit Kombëtar të Depistimit dhe luftimit të kancerit të gjirit.

“Në tetor, muajin e ndërgjegjësimit kundër kancerit të gjirit, thirrja ime për të gjithë gratë dhe vajzat është një: Përfitoni nga programi ynë i mamografisë falas së ofruar në të gjithë vendin” – u shpreh Koçiu.

“”