Kreu i Partisë Demokratike Sali Berisha ka zhvilluar këtë pasdite një takim me anëtaret e Lidhjes Demokratike të Gruas në Elbasan në kuadër të “Tetorit rozë” në sensibilizimin dhe luftën kundër kancerit të gjirit.

 

Në fjalën e tij, Berisha akuzoi kryeministrin Edi Rama se po shpenzon 4 mln euro për instalacion në oborrin e Kryeministrisë, kur me të njëjtën vlerë sipas tij mund të ishin investuar për blerjen e aparatit të mamografisë në të gjitha qytetet.

 

“Shpreh nderimin më të madh për heroizmin që tregojnë në betejën me një armik dhe uroj nga zemra që gjithnjë e më shumë sukses të kenë në këtë betejë. Ndryshimi në rezultatin e mjekimit është dramatik sot. Përmirësimet janë të pamohueshme. Sukseset janë të vërteta, por përsëri problemet mbeten të mëdha. Mbeten të mëdha, meqë sot jemi në tetorin rozë dhe i kushtohet ndjeshmërisë që duhet rritur ndaj kancerit të gjirit dhe qafës së mitrës, është e rëndësishme që kjo formë e kancerit, është forma e katërt më e shpeshtë dhe që vjen duke u shtuar, që merr dhe prek qindra gra në vit. Rruga më e mirë, më e suksesshme është parandalimi dhe pas saj kapja sa më e hershme.

 

Një vetëdije për këto dy faza është përcaktuese në rezultatin dhe shmangien e tij ose trajtimin me sukses të formave të tij. Është më komplekse gjeneza e kësaj sëmundje. Janë një seri faktorësh. Tirana rezulton në 10 qytetet më të mëdha të ndotura të botës. Rezulton për fatin më të keq po në 10shen e qyteteve me shërbimin shëndetësor më të papërshtatshëm. Do të thotë që risqet në këtë terren, janë shumë më të mëdha, dëmet e tyre bëhen shumë më të mëdha. E gjitha kjo është absolutisht e bërë nga dora e njeriut. Nëse Tirana rezulton sot në 10 qytetet më të ndotura të botës, një nga faktorët është organizimi i trafikut në kryeqytet. Është një organizim se si të ndotë më shumë qytetin.’

 

Janë sot armët më kryesore në duart e çdo gruaje dhe çdo vajze. Të tjerat janë të injoruara. Një qytet që renditet i 10ti në botë, i cili është kryeqyteti, nuk garanton aspak mjekimin koherent të sëmundjeve sot. Është një proces serioz sëmundja dhe kërkon një qëndrim serioz. Nuk mund të ketë qëndrime të dystuara, nuk mund të mungojë ilaçi sot sepse humbet kohën e dominimit të qelizave. Po lexoja një material, çfarë tregonte për parandalimin. Në strategjinë kombëtare të luftës kundër kancerit, ishin siguruar gjithsej 6% të financimit. A ka një injorim më të madh se kjo. Në një kohë kur, shpërdorimet në shpenzime të tjera janë të tmerrshme. Blihet instalimi 4 mln euro për ta vendosur në oborr. Me 4 mln euro mund të blesh mamografi në të gjithë qytetet e vendit”,  tha Berisha.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re