Ambasadorja e SHBA Yuri Kim i është bashkuar marshimit sensibilizues dedikuar ‘tetorit rozë’, me udhëheqëse shqiptare, të mbijetuara të kancerit të gjirit, dhe aktivistë komunitetesh. Të gjithë dje zhvilluan një ecje kundër kancerit të gjirit “Fjongo Rozë më Kujton”.

Me fjongon karakteristike, ambasadorja Kim është shoqëruar dhe nga deputetet e PD dhe të PS gjatë marshimit sensibilizues.

“Për të 13-in vit rradhazi, Ambasada e Shteteve të Bashkuara me krenari ka mbështetur këtë aktivitet dhe fuqizimin e grave nëpërmjet shëndetit. Muaji i Ndërgjegjësimit për Kancerin e Gjirit përqendrohet në rëndësinë e edukimit të grave dhe vajzave se si mund të zbulojnë kancerin sa më shpejt dhe të jetojnë jetë të shëndetshme”, shkruan ambasada e SHBA.

Ambasadorja Kim i kujtoi pjesëmarrësit se kjo sëmundje nuk do t’ia dijë sa e pasur je, nuk do t’ia dijë ku jeton, nuk do t’ia dijë nëse je e lumtur apo e trishtuar, ajo i ndodh të gjithave ne, mund t’i ndodhë të gjithave ne.

“Prandaj shpresoj që të gjitha ne do ta bëjmë mamografinë. Nuk është e këndshme por duhet ta bëni! Dhe shpresoj që të gjitha ne të nxisim mikeshat tona, mamatë tona, motrat tona, gjyshet tona, vajzat tona që të bëjnë një mamografi”, u tha Ambasadorja Kim.

Tetori rozë është muaji i ndërgjegjësimit për zbulimin e hershëm të kancerit të gjirit. “Fjongo rozë” është një simbol ndërkombëtar i ndërgjegjësimit ndaj kancerit të gjirit.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re