Skip to content

Teza e Ilir Beqajt për uljen e pagave e pensioneve, ide personale apo e qeverisë?

“Mund ta përballosh jetesën me pagën 26 mijë lekë, duke reduktuar standardin e jetesës”. Kjo ishte deklarata e ish-ministrit të Shëndetësisë, Ilir Beqaj, i cili disa ditë më parë theksoi se 26 mijë lekë janë të mjaftueshme dhe madje propozoi që shqiptarët në kohë izolimi të kursejnë në minimum konsumimin e energjisë elektrike.

Por ish-ministri, sot deputet i PS-së, nuk u ndal me kaq, madje ai propozoi dhe uljen e pagave dhe të pensioneve për përballimin e krizës ekonomike që mund të shkaktohet nga situata e krijuar e pandemisë së koronavirusit. Deklaratat apo propozimet e Beqajt kanë shkaktuar bujë në opinionin publik dhe madje reagimet e para erdhën pikërisht nga radhët e mjekëve që janë përkushtuar dhe në frontin e parë të luftës për mposhtjen e koronavirusit.

Reagimi i parë menjëhershëm i tyre është që pagat nuk duhet të preken dhe shigjetimet ndaj qeverisë ishin për koncesionet e shumta të dhëna, ku një pjesë e tyre janë firmosur edhe në fushën e shëndetësisë.

Natyshëm pyetja që shtrohet është nëse këto janë teza të personale apo kjo është fryma që mbizotëron dhe te mazhoranca apo te Ekzekutivi?

Pagat në admnistratë apo pensionet nuk janë aq të larta sa të pretendosh se mund të ndërhyrjet në buxhetin e shqiptarëve. Por një praktikë e tillë  është padëgjuar në asnjë shtet tjetër europian në këtë kohë krizë, pasi e kundërta ka ndodhur.

Qeveria ka përfunduar paketën e dytë të planit të ndihmës për përballimit të situatës së efekteve ekonomike. Tashmë është paralajmëruar një paketë e tretë por nuk dihet se si dhe ku do të merren fondet e garancisë, pavarësisht se ndryshe nga një muaj më parë, Shqipëria është në prag të firmosjes me marrëveshjen me FMN, apo pret marrëveshjen tjetër të huasë me Bashkimin Europian.

Ministrja e Financave, Anila Denaj e rrëzoi këtë si ide me një deklaratën të sajën, por se qeveria akoma nuk ka dhënë një qëndrim zyrtar në lidhje me këtë çështje.