Shëndeti dhe mirëqenia e njeriut janë të lidhura ngushtë me gjendjen e mjedisit. Mjediset natyrore me cilësi të mirë sigurojnë nevojat bazë jetësore. Prishja e ekuilibrave mjedisore ndikon në shëndetin e popullatës në terma afatshkurtër dhe afatgjatë, duke shkaktuar probleme shëndetësore nga më të lehtat e deri më të rëndat që rrezikojnë seriozisht deri jetën e njeriut. Nisur nga kjo, organizata Together for Life, që në krijimin e saj në vitin 2009 e deri më sot, në fokus të veprimtarisë së saj ka pasur ndër të tjera,  bashkëpunimin me aktorë të tjera vendorë të angazhuar në mbrojtjen e mjedisit dhe ne garantimin e  mjediseve të pastra dhe të sigurta.

Në vitin 2021, TFL aplikoi dhe u zgjodh nga Earthjournalism.net (EJN), përmes Iniciativës Mediatike të Biodiversitetit, për zbatimin e një projekti në qendër të të cilit ishte forcimi i përpjekjeve për të mbrojtur biodiversitetin përmes rritjes së ndërgjegjësimit dhe kapaciteteve të gazetarëve.

Për Drejtoreshën Ekzekutive të TFL, Eglantina Bardhi “projekti i zbatuar nga TFL dhe i mbështetur nga EJN ndihmoi gazetarët që raportojnë mbi problemet e biodiversitetit të kuptojnë më mirë çështjet më urgjente që kanë të bëjnë kryesisht në ruajtjen e biodiversitetit nga ndryshimeve klimatike dhe vendimmarrjet jo të drejta dhe transparente të institucioneve përgjegjëse”.

Si pjesë e këtij projekti, TFL trajnoi 10 gazetarë nga media lokale dhe kombëtare, të cilët u përzgjodhën pas një procesi aplikimi konkurrues. Trajnimi u organizua në zemër të natyrës, në luginën e lumenjve Vjosë dhe Langaricë në Përmet, ku, ndër të tjera, veprimtarë lokalë ndanë me gazetarët shqetësimet e komunitetit dhe biznesit të zonës për vendimmarrjet e pakonsultuara të Qeverisë me ndikim të drejtëpërdrejtë dhe të pakthyeshme në biodiversitetin e luginës së Vjosës.

Për EJN, drejtoresha Bardhi u shpreh se ”trajnimi synoi t’i ndihmojë gazetarët të kuptojnë në mënyrë adekuate se si të raportojnë për mbrojtjen e mjedisit, duke i kushtuar vëmendje shqetësimeve të ambientalistëve dhe duke e ndërgjegjësuar komunitetin në përgjithësi për të reaguar ndaj çdo vendimi të qeverisë që ndikon në dëmtimin e mjedisit”.

Gazetarët e trajnuar në vijim prodhuan dhe publikuan artikuj të thelluar dhe sensitivë për biodiversitetin dhe rreziqet që kërcënojnë natyrën. Në përpjekje për të rritur më shumë ndërgjegjësimin për Vjosën, “lumin e fundit të egër në Evropë”, katër nga këta gazetarë kanë botuan artikuj të thelluar që mbulonin kërcënimet ndaj biodiversitetit të Vjosës nga vendimmarrja Qeveritare. Historitë e tyre përforcuan punën e ambientalistëve që prej vitesh janë angazhuar në një lëvizje të madhe që synon ruajtjen e Vjosës.

“Gazetarët në Shqipëri përballen me shumë pengesa në raportimin për çështje mjedisore dhe mediat atje rrallë prodhojnë hetime të thelluara për këto tema. Together for Life ka bërë përparim të madh në adresimin e këtyre mangësive duke trajnuar një grup gazetarësh dhe duke mbështetur rrjetin në zhvillim që ata kanë formuar”, tha Charlie Debenham, Zyrtar i Lartë i Programit të EJN.

Përpjekjet e TFL dhe të rrjetit të gazetarëve të ngritur prej saj në kuadër të këtij projekti do të vijojnë në bashkëpunim dhe koherencë të plotë me të gjitha organizatat mjedisore dhe mediat në vend për të rritur ndërgjegjësimin e aktorëve rreth faktorëve që rrezikojnë biodiversitetin dhe shëndetin e popullatës.

https://earthjournalism.net/program-updates/ejn-media-grantee-trains-albanian-journalists-to-report-on-biodiversity

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re