Performanca ekstremiste e nacionalistit suedez-danez Rasmus Paludan, në të cilën ai dogji Kur’anin në Stokholm, u financua nga një gazetar i krahut të djathtë me lidhje me mediat e kontrolluara nga Kremlini, raportoi gazeta londineze Guardian.

Paludan, i njohur për provokimin e muslimanëve, i vuri zjarrin librit të shenjtë të shtunën e kaluar, pranë ambasadës turke në Stokholm dhe nuk ishte hera e parë që e bënte këtë.

Mediat suedeze raportuan se licenca për performancën e tij është paguar nga një ish-bashkëpunëtor i kanalit televiziv rus Russia Today, Chang Frick, i cili bën video për Demokratët e krahut të djathtë të Suedisë.

Frick konfirmoi se kishte paguar për lejen, por mohoi se kishte kërkuar që të digjej Kur’ani.

Performanca e Paludan shkaktoi kritika në të gjithë botën muslimane si dhe zemërimin e Turqisë, e cila ngriu negociatat me Suedinë për pranimin e vendit në paktin e NATO-s.

“Ata që lejojnë një blasfemi të tillë para ambasadës sonë nuk mund të presin më mbështetjen tonë për anëtarësim,” tha presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan.

“Shefi im i vërtetë, Putin, është në Moskë”

Pavarësisht thirrjeve nga Suedia për bisedime të vazhdueshme me Ankaranë, ministri i jashtëm turk Mevlut Cavucoglu tha se ato do të ishin “të pakuptimta”.

Paludan, nga ana tjetër, tha për mediat vendase se e ka kryer aktin sepse “disa suedezë do të donin që unë ta digjja Kur’anin para ambasadës turke”.

Në një intervistë me The Insider, Frick pranoi se kishte paguar për një leje për mitingun, por pretendon se ideja e djegies së Kur’anit nuk ishte e tij.

Ai tha gjithashtu se nuk ka punuar për Russia Today që nga viti 2014 dhe nuk e ka mbështetur Rusinë që nga aneksimi i Krimesë.

Frick, një ish-zyrtar demokrat suedez, është themeluesi i një faqe interneti të krahut të djathtë të fokusuar në emigracionin në Suedi.

Në një intervistë me New York Times në vitin 2019, ai bëri shaka se kishte lidhje me Presidentin e Rusisë, Vladimir Putin dhe nxori nga xhepi një tufë rubla nga Moska, ku, siç tha, “shefi i tij i vërtetë, Putin, është në Moskë”.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re