Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi në një takim me ambasadorët dhe shefat e zyrave dhe misioneve ndërkombëtare në Kosovë,  është shprehur i zhgënjyer për takimin e Berlinit i cili nuk ka pasur unitet në vendet e Bashkimit Evropian rreth liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës.

 

Ndër të tjera presidenti Thaçi ka përmendur dakordimin e Kosovës dhe Serbisë që, pas insistimit të presidentit francez, Emmanuel Macron, të mbahet takimi i ardhshëm në Paris, më 1 korrik.

 

Përveç kësaj, ai ka thënë të ketë mirëpritur kthimin e vëmendjes së Gjermanisë dhe Francës në çështjet e Ballkanit Perëndimor, në veçanti në procesin e dialogut në mes të Kosovës dhe Serbisë.

 

“Vlerësoj lart vullnetin e mirë të kancelares (Angela) Merkel dhe këmbëngulësinë e presidentit Macron që çështjet e Ballkanit Perëndimor të lëvizin përpara”.

 

Ndërkohë sa i përket taksës që aktualisht përmendet nga presidenti serb, Aleksandar Vuçiç si bllokuese e dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian në Bruksel, Thaçi ka thënë se kjo masë duhet të vazhdojë të mbetet në fuqi.

 

Autoritetet e Kosovës kanë vënë taksë 100 për qind, gjashtë muaj më parë në importet e Serbisë dhe Bosnjës.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re