Avokati Tomë Gashi në një lidhje për Fax news, ka komentuar zhvillimet e fundit në Kosovë, ku presidenti Hashim Thaçi dha dorëheqjen nga posti që mbante, dhe tashmë do të përballet me aktakuzën e ngritur nga Gjykata Speciale për krime lufte.

Gashi tha se akuza që është ngritur ndaj Thaçit, Veselit dhe Selimit është shumë e rëndë, dhe nëse ajo do të provohej, dënimet mund të ishin deri me burg të përjetshëm. Por sipas avokatit kjo ka pak gjasa që të ndodhë, edhe pse nuk i la mangut kritikat ndaj Thaçit dhe politikanëve të tjerë, që sipas tij gabuan që në momentin kur vendosën për votimin e Gjykatës Speciale.

Sipas Gashit, Thaçi dhe të akuzuarit e tjerë, ndodhen në qendrën e Eulex, që shërben si një paraburgim, deri në momentin kur do të dërgohen në Hagë, e ku do të përballen dhe me akuzat. Sipas Gashit, Thaçi ka vendosur që të fluturojë privatisht drejt Hagës, ku do të shoqërohet më pas dhe nga policë të speciales.

“Gjykata Speciale pretendon se zoti Thaçi është i përfshirë në 100 vrasje, dhe duhet të ketë më pas prova për ta vërtetuar këtë akuzë.

Janë dënime deri në burgim të përjetshëm, po këto janë vetëm çështje të shtruara në ligj, ne nuk besojmë se Prokuroria do të ketë mundësi që të konfirmojë akuzat, sigurisht që kjo është një goditje ndaj luftës së UÇKsë. Vetë Thaçi ushtroi presion ndaj deputetëve që të votonin pro Gjykatës Speciale, dhe tashmë ata po kthehen pas në akuza për vetë luftën e UÇK-së.

Është një katastrofë që e kanë krijuar vetë deputetët në Kuvend në vitin 2015, dhe tashmë po i vuajmë pasojat të gjithë si shtet”, u shpreh Gashi.

Gashi u shpreh se Gjykata Speciale është e dëmshme për shqiptarët e Kosovës, pasi nuk ka akses që të hetoj krimet e luftës që ka kryer Serbia.

(E.K/Faxweb.al)

/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re