Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi është shprehur se Kosova do t’i forcojë edhe më shumë raportet me Shtetet e Bashkuara dhe se do të vazhdojë rrugën drejt integrimit në organizata ndërkombëtare.

 

Në fjalën e tij Thaçi ka bërë thirrje për bashkim në mënyrë që të fitohet mbështetja e miqve.

 

“Kosova së shpejti do të bëhet pjesë e NATO-s, Bashkimit Evropian, OKB-së si dhe organizatave tjera ndërkombëtare”.

 

Këto komente presidenti Thaçi i bëri gjatë ceremonisë së shënimit të 21 vjetorit të “Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”.

 

Gjithashtu presidenti ka komentuar dhe raportet me kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinaj, ku ka thënë se Ushtria nuk do të përdoret kundër askujt në Kosovë dhe se partneriteti strategjik me Shtetet e Bashkuara do të fuqizohet ende.

 

“Ushtria e Kosovës sjell paqe dhe ajo nuk do të përdoret kundër popullit të Kosovës as në jug as në veri, por ajo do të përdoret për paqe për të gjithë që jetojnë në Kosovë. Njëkohësisht, në miqësi të përhershme me Amerikën dhe me partneritetin tonë strategjik, ne do t’ja dalim ta bëjmë Kosovën ashtu siç e ëndërruan çlirimtarët”.

 

Deklaratat e krerëve të lartë shtetërorë për fuqizim të partneritetit me SHBA-në vijnë në kohën kur raportet mes dy vendeve janë të përkeqësuara, pasi Qeveria e Kosovës nuk po e plotëson kërkesën e SHBA-së për të pezulluar tarifën ndaj mallrave serbe dhe të Bosnjës.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re