Në një reagim të Vetëvendosjes pas dorëheqjes së Thaçit si president, pas aktuakuzës ngritur nga Specialja në Hagë, ku qartazi është stili i Albin Kurtit, thuhet, jo pa ironi, se Kosova nuk po e mbron dot UÇK-në.

Fatkeqësisht Kosova sot nuk është në gjendje ta mbrojë UÇK-në me institucionet e saj, për shkak se keqqeverisja në dekadat e pasluftës ka rezultuar në institucione të brishta të drejtësisë, të cilat nuk kanë fituar besimin e qytetarëve, e njëkohësisht i ka përkeqësuar marrëdhëniet e Kosovës me partnerët ndërkombëtarë.

“E vlerësojmë gjestin e dorëheqjes prej presidencës të Hashim Thaçit si të duhur, por të vonuar. Do të ishte mirë të vepronte qysh kur erdhi lajmi për akuzat, e jo të linte vend për të menduar se në prapaskenë po negocion për të shpëtuar veten prej atyre akuzave.

Dhjetë vitet e fundit janë dëshmi se si kushdo që ka pretenduar ta mbrojë UÇK-në përmes pazareve të fshehta, ka dështuar, dhe vetëm sa e ka rritur dëmin.

Vetë Gjykata Speciale është padrejtësi e prodhuar prej tyre, përderisa ne si Lëvizje, bashkë me shumë veteranë e qytetarë, protestuam kundër saj”, thuhet në reagimin e VV.

Sipas saj, tani është momenti për zgjedhje të reja, e se Vjosa Osmani në krye të presidencës, është diçka e mirë për imazhin e Kosovës.

“Tash Kosovës i duhen zgjedhje të reja e të lira, prej të cilave do të dalë një qeveri e cila gëzon mbështetje dhe legjitimitet prej shumicës së qytetarëve, qeveri që ia kthen besueshmërinë vendore e ndërkombëtare Kosovës.

Presidenti i ri nuk mund të dalë prej pazareve në Kuvendin e vjetër e të deformuar, por do të dalë me integritet e besueshmëri, nga Kuvendi i ri, pas zgjedhjeve të reja. E deri atëherë, në një tranzicion të shkurtër e transparent drejt zgjedhjeve të reja, znj. Vjosa Osmani si ud. e presidentes, do të kontribuojë për mirë në imazhin ndërkombëtar të Kosovës. Vetëm një qeveri e pakorruptuar, e zgjedhur demokratikisht e jo produkt i pazareve, do të mund ta përparojë Kosovën e ta mbrojë UÇK-në dhe ta vlerësojë ashtu siç e meriton.

Të gjithë duhet të bëhemi bashkë në respektim të ligjit, vullnetit të qytetarëve e demokracisë, e jo për t’iu mbivendosur asaj”, thuhet në deklaratën e VV.

 

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re