Në Ditën e tyre, Zjarrëfikësit në Kosovë kanë shprehur shqetësimin e tyre për gjendjen e vështirë në të cilën ndodhen, për çka kërkuan kushte më të mira për punë.

“Zjarrfikësit rrezikojnë shëndetin ku dëshmojnë rastet e lëndimit në vendin e punës dhe askush nga institucionet nuk doli në ndihmë, ku të gjitha shpenzimet mjekësore është dashur t’i kryejnë vetë zjarrfikësit. Në vazhdimësi kemi kërkuar nga institucionet, që nga viti 2008, që kjo gjendje të përmirësohet, por asnjëherë nuk treguan gatishmëri për të zgjedhur problemet dhe situatën e krijuar”, thuhet në një kumtesë të zjarrëfikësve.

Dhe pas kësaj presidenti Thaçi ka uruar këta të fundit për ditën e tyre, duke i konsideruar si heronj të përditshëm të shoqërisë sonë.

“Sot është Dita Ndërkombëtare e heronjve të përditshëm të shoqërisë sonë, zjarrfikësve. I uroj të gjitha vajzat dhe djemtë tanë, që përditë deri në vetëmohim luftojnë kundër zjarrit, për të shpëtuar jetë dhe prona të qytetarëve tanë. Institucionet e Kosovës, por edhe mbarë shoqëria jonë, duhet të bëjnë më shumë për mirëqenien e tyre, duke investuar kështu në sigurinë tonë kolektive”, shkruan Thaçi në Facebook.

Ndryshe, me rastin e 4 Majit- Dita Ndërkombëtare e Zjarrfikësve, shtetet organizojnë aktivitete të ndryshme solemne, manifestime të ndryshme në shenjë të respektit për punën dhe sakrificat që bëjnë në aktivitetet e tyre dhe gatishmërinë emergjente që tregojnë zjarrfikësit për t’iu dalë në ndihmë qytetarëve në nevojë.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re