Presidenti Hashim Thaçi ka kërkuar që lideri i Vetëvendosjes Albin Kurti ta njoftojë për kandidatin për kryeministër duke i kujtuar se një akt-gjykim të gjykatës kushtetuese që thotë se “nuk përjashtohet që partia ose koalicioni në fjalë do të refuzojë të marrë mandatin”.

“Si President i Republikës së Kosovës jam i obliguar që të ndërmarr veprime pa vonesa të mëtejme, duke ndjekur të gjithë hapat kushtetues që qytetarët e Republikës së Kosovës ta kenë sa më shpejtë qeverinë e tyre.

Duke marrë parasysh parimet demokratike, transparencën dhe korrektësinë politike, ua kam dhënë mundësinë dhe kam kërkuar në vazhdimësi që ta propozoni kandidatin/en për Kryeministër”, i ka shkruar Thaçi-Kurtit, duke theksuar se ka parasysh edhe Pikën 87 të Aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese në rastin nr. K0103/14, e cila vëren “se nuk përjashtohet që partia ose koalicioni në fjalë do të refuzojë të marrë mandatin”.

Presidenti ka kërkuar nga Kurti që ta njoftojë në cilindo rast, të pranimit apo refuzimit të mandatit, në mënyrë që ai të ndërmarrë të gjithë hapat e përcaktuar në Kushtetutë dhe të dekretoj kandidatin/en për Kryeministër për të formuar Qeverinë e Republikës së Kosovës.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re