Presidenti  i Kosovës HashimThaçi në një intervistë për mediat gjermane është shprehur optimist se marrëveshja me Serbinë do të finalizohet brenda vitit, por ai thekson se e kaluara ka treguar se Bashkimi Europian asnjëherë nuk ka qenë në gjendje që t’i zgjidhë problemet i vetem. Kreu i shtetit ka mohuar të jetë diskutuar ndryshimi i kufijve me palën serbe, por sipas tij bëhet fjalë për spekulim mediatik.

 

 Ne synojmë një marrëveshje gjithëpërfshirëse, e cila përfundimisht do të zgjidhë të gjitha çështjet e hapura ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Por, deri tani asgjë nuk është në tavolinën e bisedimeve, nuk ka harta. Kjo temë është bërë e madhe dhe ekzagjeruar nga mediat. Unë kam folur drejtpërdrejt me presidentin Trump. Mesazhi i tij për të dyja palët është i qartë: përfitoni nga momenti, lëvizni përpara dhe mos lejoni që tragjeditë e së kaluarës të përsëriten.

 

Të gjitha shtetet e Ballkanit kanë çështje të hapura kufitare, nga Sllovenia dhe Kroacia deri në Maqedoninë e Veriut. Por, për çështje të tilla duhet të tregojmë kujdes të veçantë.  Për ne është e qartë, Kosova gjithsesi do të mbetet një shtet shumetnik dhe nuk do të ketë kufij përgjatë vijave etnike.

 

Thaçi u ndal edhe tek raporti tij me homologun serb Vucic të cilin e konsideroi te vështirë.

 

Është pikërisht ky dialog, i cili ka parandaluar shumë gjëra të shëmtuara që mund të kishin ndodhur mes dy vendeve tona. Të dy e dimë prej nga jemi. Por, kjo nuk është një pengesë për ne që të punojmë për paqe. Ai ka humbur, unë kam fituar. Për herë të parë në Serbi ne kemi një bashkëbisedues, i cili është i gatshëm të ulet me ne dhe të diskutojmë të gjitha çështjet, duke përfshirë njohjen e Kosovës. Dhe pas shumë vitesh të neglizhencës, tani përsëri ka një vëmendje të madhe për ne në BE dhe SHBA. Nëse e humbasim atë tani, rrezikojmë të humbim dekada. Unë dua të bëj gjithçka për të siguruar që një marrëveshje e tillë të bekohet në Shtëpinë e Bardhë.

 

Presidenti Hashim Thaçi tha se e sheh te ardhmen e Kosovës në NATO-s dhe BE pasi sipas tij pas disa vitesh gjërat për të cilat debatohet sot, do të duken qesharake.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re