Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi së fundmi ka shpeshtuar deklaratat e tij në lidhje me bashkimin e Kosovës me Shqipërinë.

 

Nga academia përkujtimore për të rënët gjatë Operacionit “Shigjeta DO-2” dhe luftimeve në Pashtrik, Thaçi tha se ëndrra e shqiptarëve është ajo e bashkimit kombëtar dhe se kurrë nuk ka qenë më afër për t’u realizuar.

 

“Kjo prezencë e spektrit politik të shqiptarëve kudo që jetojnë dhe familjet të dëshmorëve dëshmon se lufta e UÇK – së ka qenë luftë për liri dhe shtet të Kosovës, luftë për bashkim kombëtar andaj ëndrra historike e shqiptarëve nuk ka qenë kurrë më afër të realizohet pra bashkimi kombëtar. Rëndësia historike e Operacionit ‘Shigjeta’ për historinë kombëtare është jetike dhe e vulosur me gjakun e gjithë atyre që morën pjesë në këtë betejë përballë policisë dhe ushtrisë së Serbisë”.

 

Presidenti Thaçi edhe një herë publikisht shtoi se bashkësia ndërkombëtare nuk duhet të heshtë ndaj gjenocidit të kryer në Kosovë nga forcat serbe.

 

“Operacioni shigjeta ka rëndësi të jashtëzakonshme ndërkombëtare pasi që e tërë shpresa e bashkësisë ndërkombëtare ishte pikërisht operacioni shigjeta. Ky operacion ka një rëndësi që e fiton peshën çdo ditë e më tepër që kalon. Sot me të drejtë të gjithë kërkojmë nga bashkësia ndërkombëtare që të mos heshtet ndaj gjenocidit të kryer ndaj shteti të Kosovës.  Sa më tepër po kalon koha aq më të përgjegjshëm po bëhemi ne dhe të vetëdijshëm që rruga që ka ndjekur UÇK-ja ka qenë e vetmja alternativë për të iu përgjigjur Sllobodan Millosheviqit, përndryshe do mbeteshim nën thundrat e Serbisë edhe më tutje. Duhet të nxjerrin mësim të tjerët nga kjo betejë”.

 

Ndër të tjera kreu I shtetit të Kosovës gjithashtu ka përsëritur idenë e tij për bashkimin kombëtar, veç se kësaj ia shtoi edhe bashkimin e Kosovës me Preshevën, Medvegjën e Bujanocin. Sipas tij ndërkombëtarët e izoluan Kosovën dhe si kundërpërgjigje do të bashkohen me Shqipërinë dhe Luginën e Preshevës.

 

“Është e vërtetë që jemi në një rrethanë të re që aq sa është e favorshme ka edhe pengesa por shumë më e vështirë ka qenë koha momenti kur kemi filluar rezistencën ndaj Serbisë, sesa sot. Atëherë s’kemi pasur lekë për armatim e as mbështetje ndërkombëtare. Atje [Luginë e Preshevës] shqiptarët po largohen nga trevat e veta është rrezikuar ekzistenca e tyre dhe pas 20 vitesh do të kemi dilemën se a jetojnë shqiptarët në Bujanoc, apo jo. Përderisa bashkësia ndërkombëtare bën kësi poshtërime ndaj shqiptarëve, duke mos ua lejuar as liberalizimin, së shpejti do ta kemi bashkim me Shqipërinë, por edhe me Preshevën, Medvegjën e Bujanocin”.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re