Revista më e vjetër diplomatike në Holandë “Diplomat”, ka shkruar për mesazhet diplomatike të presidentit Thaçi të dhëna në Institutin holandez për Marrëdhënie Ndërkombëtare “Clingendael”.

 

Sipas revistës holandeze dialogu Kosovë-Serbi, ka prodhuar një marrëveshje historike në Bruksel, saktësisht pesë vjet më parë.

 

“Ne jemi krenarë me luftën tonë për liri dhe nuk kemi asgjë për të fshehur apo për t’u frikësuar nga e vërteta. Askush asnjëherë nuk u përpoq të ikte apo të fshihej nga drejtësia, krahasuar me shtetet e tjera në rajon”.

 

Presidenti Thaçi, duke folur për shtetndërtimin në Kosovë, ka theksuar se vetëm dhjetë vjet më parë Kosova shpalli Republikën më të re në Evropë dhe tani mund t’i shikojmë me krenari arritjet gjatë dekadës së kaluar.

 

Sipas revistës “Diplomat”, presidenti kosovar gjatë qëndrimit në Holandë ka numëruar tri sfidat më të rëndësishme, ku një prej tyre është edhe përmbyllja e dialogut me Serbinë.

 

“Si Kosova, ashtu edhe Serbia, duan të jenë pjesë e Bashkimit Evropian dhe të dy shtetet e dimë se duhet ta njohim njëri-tjetrin. BE-ja nuk do të na pranojë me probleme. Ne kemi nevojë për një marrëveshje ligjërisht të detyrueshme. E di se do të jetë jashtëzakonisht e vështirë për të dyja palët dhe mbi të gjitha për Kosovën. Por, jam i bindur se dialogu dhe marrëveshja janë e vetmja rrugë përpara”.

 

Ndërkohë sipas revistës një sfidë tjetër që e pret Kosovën është dhe ajo ekonomike.

 

Ndërkaq, sipas presidentit sfida e tretë, ka të bëjë me integrimin e Kosovës në NATO dhe BE, ku sipas tij, Kosova po punon në përmbushjen e kritereve demokratike në politikë, ekonomi dhe legjislacion.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re