Presidenti Hashim Thaçi deklaroi sot se njohja e Kosovës nga Serbia dhe marrëveshja përfundimtare mes dy vendeve duhet të kalojë nga definimi i qartë i kufijve mes dy vendeve. Ai propozoi përfshirjen në Kosovë të Luginës së Preshevës, por duke mos rrezikuar pasuritë si Trepçën.

 

“Unë e kam theksuar edhe më herët e ritheksoj edhe sot se unë punoj që në kuadër të përmbylljes së dialogut Kosovë-Serbi të kemi një marrëveshje gjithëpërfshirëse, që nënkupton zgjidhjen përfundimtare të çështjes së të zhdukurve, të refugjatëve, të edukimit, të shëndetësisë, të trashëgimisë kulturore serbe, artefaktet arkeologjike, që i hap mundësi zhvillimit ekonomik dhe që në fund benefiti për Kosovën do të jetë njohja nga Serbia si shtet i pavarur dhe sovran, anëtarësimi i Kosovës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, njohja edhe prej pesë vendeve të Bashkimit Evropian dhe hapet mundësia për anëtarësim në NATO dhe Bashkim Evropian. Tash do të punojmë për një zgjidhje kreative në fund ku të dy palëve do t’u plotësohen interesat edhe shtetit të Kosovës dhe të Serbisë. por edhe interesat e investimeve strategjike të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, NATO-s dhe Bashkimit Evropian. Dhe natyrisht se në fund nuk ka njohje mes dy vendeve pa definimin e qartë të kufijve ndërshtetëror Kosovë-Serbi. Unë e kam theksuar edhe më herët e ritheksoj edhe sot se punoj dhe mendoj se do ishte shumë e logjikshme përfshirja e Preshevës, Medvegjës e Bujanocit në territorin e Republikës së Kosovës duke mos i cenuar në asnjë rrethanë resurset e shtetit të Kosovës, as Gazivodën, as veriun e Mitrovicës as Trepçën dhe as hapësirat tjera.”

 

Kreu i shtetit te Kosovës theksoi se për marrëveshjen finale me Serbinë ka dhe miratimin e Rusisë dhe personalisht të presidentit Vladimir Putin.

 

“Sot kritik për këtë proces janë edhe disa që mua më kanë këshilluar që të pranoj autonomi të Kosovës nën Serbi, do të thotë edhe para viteve 1998, por edhe pas çlirimit. E lëmë këtë anash. E kuptoj reflektimin dhe avancimin në ide, por pyetja ime për kritikët apo skeptikët është; cila është zgjidhja sipas tyre, si mund të na njeh Serbia neve, si mund ta bindim Rusinë për t’u anëtarësuar në OKB? Pse është momenti tani? Është momenti sepse në Rambuje, Serbia nuk ka marr pjesë në nënshkrim, e ka refuzuar marrëveshjen, në Vjenë e ka refuzuar ndërsa tash është në tavolinën e diskutimit dhe shpreh vullnet për të diskutuar për mundësinë e arritjes së një marrëveshjeje. Do të jetë shumë vështirë të arrihet marrëveshja dhe mund të them lirisht se vetëm një përgjegjësi e lartë burrështetase mund të reflektojë për vendimmarrje për nënshkrimin e marrëveshjes ,sepse nuk do të jetë e lehtë as për Kosovën, nuk do të jetë e lehtë as për Serbinë. Por ajo që mund të them është kjo, që Serbia është përfshirë në dialog ka shprehur vullnetin për të diskutuar dhe mundësinë e njohjes së pavarësisë së Kosovës, përndryshe për ne nuk do të kishte fare kuptim ky proces. Por në të njëjtën kohë edhe Rusia ka dërguar mesazhe që nëse palët merren vesh ne do ta mbështesim, gjë që më ka konfirmuar edhe mua personalisht presidenti (Vladimir) Putin por edhe përmes zëdhënësit të Kremlinit. Tjetër, po theksoj që momenti dhe e kemi të angazhuar plotësisht në udhëheqje edhe Bashkimin Evropian dhe mbështetje të plotë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të vet presidentit Trump, prandaj gjithë faktorët global janë të fokusuar, të interesuar dhe ne për mundësitë tona që i kemi nuk mendoj se do të mund ta mbajmë këtë fokus ndërkombëtar për kauzën tonë. Përndryshe do të vazhdojmë të mbesim në një konflikt të ngrirë, me potenciale që vazhdimisht të kthehemi tek tragjeditë e së kaluarës, do të mbesim në një status quo që për mua paraqet dëm, është e rrezikshme dhe rikthim prapa për Kosovën. Ata që flasin për kutinë e Pandorës, kjo kuti është e hapur në Ballkanin perëndimor, unë mendoj se një marrëveshje paqësore e mbyll kutinë e Pandorës.”

 

Thaçi tha më tej se ndihet optimist më shumë se kurrë se marrëveshja do të arrihet, madje sipas tij ajo nuk do të ketë asnjë efekt negativ në rajon.

 

“Definitivisht sot jam më optimist se sa kam qenë më herët, shpresoj që nesër të jem edhe më optimist se sot dhe unë ftoj gjithë spektrin politik për reflektim në interes shtetëror, mbi politikat ditore, apo grupore, apo partiak. Besoj në pjekurinë e spektrit politik gjithashtu edhe të shoqërisë civile, të mediave, të njerëzve opinionbërës, sepse marrëveshja paqësore Kosovë-Serbi nënkupton kurrë më luftë në mes të serbëve dhe shqiptarëve, nënkupton paqe përfundimtare dhe ne pastaj e kemi si shtet i Kosovës rrugën për anëtarësim në NATO dhe Bashkim Evropian, Serbia e ka rrugën e vet. Përndryshe, do ta bllokojmë njëra tjetrën, në perspektivën euro-atlantike Kosovën dhe të ardhmen evropiane për Serbinë. E kemi obligim arritjen e kësaj marrëveshjeje edhe për hir të fëmijëve tonë, fëmijëve të fëmijëve tonë, sepse do të hapet mundësia e transformimit të plotë të shoqërisë në Kosovë sepse nuk do të merremi ne si udhëheqës me akuza ndaj Serbisë për të fituar vota por me vizion, me program zhvillimor, krijimin vendeve të punës, mirëqenien sociale dhe natyrisht reformat demokratike në rend, ligj, luftën kundër korrupsionit e krimit të organizuar, sepse është përzier patriotizmi me qeverisje që nuk vlerësohet ndonjëherë a është e mirë apo e keqe, por mjafton të jesh patriot apo të akuzosh Serbinë, je në rregull, por t’i nuk po sjellë jetë më të mirë për qytetarët e vendit.”

 

Ndërsa për heqjen apo pezullimin e taksës presidenti nuk dha një përgjigje të qartë, por tha se do të mbështeste çdo zgjidhje kreative për arritjen e marrëveshjes detyruese.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re