Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, në një takim me ambasadorët ndërkombëtarë deklaroi se është koha për arritjen e një marrëveshje historike mes Kosovës dhe Serbisë.
“Nuk mund të kthehemi prapa, sepse historia e raporteve në mes të Kosovës dhe Serbisë është një histori tragjike. Nuk mund të qëndrojmë në vend apo të vendnumërojmë dhe as nuk kemi se çfarë të presim, sepse ngecja dhe pritja në zgjidhjen e raporteve në mes Kosovës dhe Serbisë është pikërisht thirrje për tensione, për destabilizim, për probleme të mëdha, jo vetëm në mes nesh, por edhe në mbarë rajonin. Kosova si shtet, si politikë, si shoqëri, është lodhur nga ngecja në procesin e konsolidimit të brendshëm dhe atë ndërkombëtar. Qoftë për shkak se Serbia interferon në punët e shtetit të Kosovës, qoftë për shkak se BE-ja nuk arriti ta krijojë konsensusin për ta njohur shtetin e Kosovës apo sepse shumëkush ka menduar që me kalimin e kohës, vetvetiu, gjërat në Kosovë dhe rreth Kosovës do të zgjidhen. Doli që ky mendim ishte krejtësisht i gabuar”.
Ndër të tjera presidenti Thaçi shtoi se kjo marrëveshje do t’i hapte Kosovës rrugën e integrimit në BE dhe NATO, si dhe anëtarësimit në Kombet e Bashkuara.
Në adresim, presidenti ka ritheksuar çështjen e korrigjimit të kufijve, duke thënë se koha e luftërave dhe konflikteve mes të dyja vendeve ka kaluar.
Gjithashtu kreu i shtetit tha se marrëveshja nuk do të ketë pasoja në karakterin shumëetnik të vendit dhe se Kosova do të ruaj trashëgiminë kulturore serbe që lidhet me pozitën e Kishës Ortodokse Serbe në vend.
