Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi gjatë fjalimit të tij në takimin për procesin Brdo Brijun, ka folur në lidhje me dialogun Kosovë-Serbi.

 

Në fjalën e tij marrëveshja finale Kosovë-Serbi nuk do të nxjerrë një Republika Srpska në Kosovë.

 

“Pavarësisht ideve të ndryshme që mund të qarkullojnë poshtë e lartë, edhe prej diplomatëve të ndryshëm, në Kosovë do të jetë tërësisht e papranueshme themelimi i ndonjë asociacioni me mandat ekzekutiv që do të mund të ngjante me një Republikë Serbe, apo të ndonjë modeli gjermano-gjerman, sepse nuk mund të shkohet me ndonjë model të tillë mes Kosovës dhe Serbisë, sepse një model i tillë do të mund të shkonte vetëm në rrethana të tjera, apo të një ideje që ju e keni dëgjuar në mediume të ndryshme edhe tuajat, të ndonjë sovraniteti të dyfishtë, në marrëveshje të tillë mund të arrihet mes Kosovës dhe Serbisë si vende të pavarura dhe sovrane. Ne mbesim me shpresë që ky proces të jetë i pakushtëzuar, pra dialogu dhe ju falënderoj shumë për mbështetjen dhe angazhimin dhe lehtësimin e këtyre përkushtimeve që të arrihet një marrëveshje Kosovë-Serbi”.

 

Thaçi tha se çdo ditë, javë a muaj që kalon pa një marrëveshje të tillë, vetëm sa thellohet hendeku Kosovë-Serbi, e që sipas tij, në këtë mënyrë do të mund të ketë edhe reflektime në rajon.

 

Gjithashtu Thaçi në samitin Brdo-Brijuni ka folur edhe për çështjen e lëvizjes së lirë të qytetarëve të Kosovës. Ai ka thënë se Kosova padrejtësisht po mbetet vendi më i izoluar në Evropë.

 

 “Mos uniteti i vendeve të BE-së, shteteve anëtare, pavarësisht prej frymës pozitive që ka qenë dhe bartësve të institucioneve të BE-së, ka ardhur në një situatë të tillë që Kosova padrejtësisht ende mbetet vendi më i izoluar në Evropë, dhe sinqerisht nuk kemi si lidership asnjë përgjigje për opinionin publik, për njerëzit në Kosovë, për qytetarët e saj. Vazhdoj të theksoj shumë hapur që është një padrejtësi, tani është edhe diskriminim dhe një ndëshkim krejt i panevojshëm”.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re