Presidenti i Kosovës, Hashim Thaci të pranishmëve në Konferencën e Sigurisë së Munihut, që po i zhvillon punimet në Minsk të Bjellorusisë, ka thënë se tash është koha për marrëveshjen mes Kosovës dhe Serbisë.

 

 “Bota ka ndryshuar. Evropa është në udhëkryq, me zhvillime të shumta të cilat shtrojnë pikëpyetje për të ardhmen. Ballkani Perëndimor ka mbetur i lënë në një situatë të paqartë. Në këtë realitet, Kosova dhe Serbia e gjejnë veten në kërkim të një marrëveshjeje përfundimtare paqeje. Jemi duke i shqyrtuar të gjitha idetë. Sa i përket marrëveshjes, për asgjë nuk jemi marrë vesh akoma”.

 

Sipas Thaçit, marrëveshja mes Kosovës dhe Serbisë është e vështirë, por, ai shprehet se edhe në rrethana të tilla unë shoh dritë në fund të tunelit.

 

Kreu i shtetit ka thënë se dialogu ka marrë mbështetje, por edhe disa kritika në vendet tona dhe ndërkombëtarisht.

 

“Nuk kam problem me këtë. Ishte e pritshme. Kritikat janë të shëndetshme për debatin e përgjithshëm, por edhe për vetë procesin. Posaçërisht, për një transparencë më të madhe dhe për përgjegjësi më të madhe të lidershipit, në të dy vendet. Në këtë proces, gjëja më e lehtë është të kritikosh. Dhe gjëja më e vështirë është të gjesh mënyrën për të arritur deri te marrëveshja. Duke arritur marrëveshje në mes të Kosovës dhe Serbisë, do të kemi më pak populizëm në rajonin tonë. Më pak nacionalizëm. Më pak zëra që thërrasin për luftë dhe tragjedi. Më pak urrejtje dhe hakmarrje”.

Gjithashtu presidenti Thaçi shtoi se qëllimi kryesor i procesit të dialogut është arritja e një marrëveshjeje përfundimtare paqësore për njohje të ndërsjellë dhe ulëse të Kosovës në Kombet e Bashkuara.

 

“Një marrëveshje gjithëpërfshirëse, e cila nënkupton njohjen e dyanshme në mes të Kosovës dhe Serbisë. Pa njohje, kjo dhe çfarëdo marrëveshje tjetër nuk do të kenë kuptim. Marrëveshja duhet të jetë përfundimtare, jo e përkohshme. Duhet të jetë një marrëveshje, e cila do t’i sjellë më shumë rehati fqinjëve tanë dhe mbarë rajonit. Më lejoni të jem shumë i qartë rreth pikës së mëposhtme: nuk do të ketë kufij përgjatë vijave etnike dhe nuk do të ketë shkëmbim të popullatës në mes të dy vendeve. Do ta ruajmë shpirtin shumetnik dhe realitetin e Kosovës dhe Serbisë”.

Presidenti Thaçi e ka përfunduar fjalimin e tij duke thënë se kemi nevojë për mbështetjen e secilit për të pasur sukses.Ai ka thënë se lidershipi në Kosovë dhe Serbi e dëshiron një marrëveshje të paqes, BE-ja e dëshiron dhe po punon drejt arritjes së kësaj marrëveshjeje dhe tani, pa hamendje, të gjithë duhet të lëvizim përpara.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re