Presidenti Hashim Thaçi edhe pse nuk ka dhënë një datë të saktë për rifillimin e dialogut me Serbinë, ai ka thënë se ky dialog do të fillojë në ditët apo javët e ardhshme dhe do të jetë i vështirë.

“Nuk do të jetë i lehtë, por do të jetë historik dhe është i pa alternativë. Dialogu duhet të përmbyllet me një rezultat ‘ëin-ëin’ edhe për Kosovën, edhe për Serbinë, sipas një marrëveshjeje me vlera e standarde evropiane”, ka deklaruar Thaçi në panelin “Evropa në udhëkryq”, në kuadër të Forumit Ekonomik Ndërkombëtar të Kontinentit të Amerikës (IEFA), që po mbahet në Montreal të Kanadasë.

“Edhe Kosova, edhe Serbia, aspiratë e kanë anëtarësimin në BE”, u shpreh më tej Thaçi, duke shtuar se “ky vullnet i njerëzve nuk mund të realizohet pa normalizim dhe pajtim në mes dy vendeve dhe popujve”.

Ai ka thënë se pret  rol udhëheqës dhe me një dinamikë të re nga Bashkimi Evropian dhe mbështetje të fuqishme të SHBA-së, që ky proces të përmbyllet suksesshëm, sa më shpejt që të jetë e mundur dhe në të mirën e të gjithëve.

“Kosova është gati për dialog, për marrëveshje, sepse vetëm kështu do të mund të lëvizim të sigurt drejt NATO-s dhe Bashkimit Evropian, si dhe të ruajmë marrëdhënien speciale me SHBA-në dhe partneritetin me miqtë e tjerë. Vetëm një Kosovë dhe një Serbi evropiane mund të perëndimizojnë rajonin”, deklaroi Thaçi.

Kujtojmë se opozitarët po kundërshtojnë që Thaçi të jetë kryenegociator, por edhe deklarimet e bëra në Kanada tregojnë se ai nuk do ja lë në dorë askujt fazën finale të dialogut, pasi synon të jetë personi që e nisi dhe e mbylli këtë proces.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re