Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi  pas pjesmarrjes në Samitin e Berlinit, ka theksuar se dialogu në mes të Kosovës dhe Serbisë mund të vazhdojë vetëm nëse ai proces do të jetë i pakushtëzuar.

 

Në fjalën e tij presidenti i Kosovës ka përmendur edhe procesin e liberalizimit të vizave duke thënë se pamundësia e kosovarëve për të lëvizur lirshëm drejt vendeve të Bashkimit Evropian është masë ndëshkuese dhe diskriminuese ndaj Kosovës.

 

“E kam theksuar shumë qartë se perspektiva evropianë fatkeqësisht për Kosovën vazhdon të mbetet një frazë e mirë për veshët por nuk po bëhet asgjë konkrete nga Bashkimi Evropian për Kosovën. Jostabiliteti aktual në marrëdhëniet e Kosovës me shtetet fqinje, është rezultat i mosnjohjes së Kosovës nga shteti i Serbisë dhe Bosnja e Hercegovina”.

 

Ndër të tjera në deklaratën e tij për mediat presidenti Thaçi ka folur edhe për procesin e dialogut, ku theksoi se Serbia vazhdon ta kushtëzoj rifillimin e këtij procesi.

 

“Dialogu i filluar në vitin 2011 tani është i bllokuar nga Serbia, e cila ka kushtëzuar vazhdimin e tij me lloj lloj kërkesash. Dialogu nuk mund të kushtëzohet nga asnjëra palë. Pak a shumë për shkak të ndikimit negativ të Serbisë, marrëdhëniet e Kosovës me Bosnjën e Hercegovinën janë në nivelin më të ulët, e kjo u pa edhe në takimin e Berlinit, dhe kjo është shqetësuese. Serbia i ka pamundësuar Kosovës që të zbatojë në praktikë marrëveshjen për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë. Është veprim i papranueshëm kushtëzimi i dialogut me heqjen e taksës. Vendosja e taksës ka qenë vendim i domosdoshëm dhe legjitim dhe si i tillë mbetet në fuqi”.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re