Presidenti Thaçi ka sqaruar dhe njëherë pozicionin e tij në raport me atë që përflitet, këmbimin e territoreve mes Kosovës dhe Serbisë, në kuadër të zgjidhjes përfundimtare të ngërçit historik mes dy vendeve. Sipas tij, korrigjimi i kufijve nuk nënkupton ndarje dhe as shkëmbim të territoreve.

“Korrigjimi i kufijve nuk është term i shpikur nga unë, por shumë shtete në botë e kanë përdorur si mjet për të tejkaluar hasmëritë, për të zgjidhur problemet, për të krijuar paqe afatgjate. Këto ditë e kam përsëritur shpesh: korrigjimi i kufijve nuk nënkupton ndarje, nuk nënkupton shkëmbim të territorit. Po e them edhe ndryshe, korrigjimi i kufijve nuk do të sjellë ndarje të Kosovës. Këtë duhet ta kenë të qartë të gjithë. Gjatë gjithë këtyre vjetëve që kur jemi në dialog, institucionet e Kosovës janë kritikuar pse çështja e Luginës së Preshevës nuk po diskutohet në dialogun me Serbinë. Tash të njëjtit njerëz kërkojnë që t’i mbyllim sytë përballë kërkesës legjitime të tyre për t’ju bashkangjitur Kosovës. Prandaj, kërkesa e jonë është që Kosovës t’i kthehet Presheva, Bujanoci dhe Medvegja, meqë Serbia nuk ka arritur që t’ju garantojë atyre të drejta, të cilat Kosova iu garantohen serbëve në Kosovë.

 Ndërsa në pyetjen delicate mbi dhënien e mundshme të Veriut si këmbim, Thaçi u përgjigj me një gjapërim diplomatik

”Kosova nuk ka hyrë në këtë dialog për të humbur, as për të dhënë. Kosova ka hyrë në këtë dialog për të arritur marrëveshje paqësore në përputhje me interesat shtetërore. Kosova përballë Serbisë gjithmonë ka dalë fituese, sepse kemi qenë të bashkuar në të drejtën tonë për liri, pavarësi dhe kemi pasuar në vazhdimësi përkrahjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Prandaj, i gjithë spektri politik, shoqëria civile, duhet të jemi të bashkuar për t’ia sjellë Kosovës fitoren e radhës, atë të anëtarësimit në BE, NATO dhe OKB”, kreu i shtetit të Kosovës.

Ndërsa në lidhje me replikat e nxehta me Berishën, Thaçi ia ka adresuar medias përgjegjësinë e tyre, duke pretenduar se ato janë abuzuar me fjalët e tij.   

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re