Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka deklaruar se nuk ekziston asnjë marrëveshje e nënshkruar me Serbinë, siç përflitet në deklaratat e disa politikanëve në Kosovë.

 

Thaçi në një reagim për REL, është shprehur se aktualisht ndodhet në pushime, dhe se do ta takojë Ekipin negociator të hënën.

 

“Unë në vazhdimësi i kam informuar të dy bashkëkryesuesit e Ekipit Negociator për të gjitha temat që janë diskutuar deri më tani në Bruksel, në kuadër të fazës së fundit të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Gjithashtu, ua kam bërë të qartë se deri më tani nuk ekziston asnjë dokument i shkruar zyrtar apo draft-marrëveshje e përgatitur nga BE-ja. Kjo është e natyrshme, sepse ne jemi në fazën fillestare të negociatave për të arritur një marrëveshje përfundimtare gjithëpërfshirëse. Përkundër kësaj, sapo ta mbaroj pushimin, të hënën do të takojë Ekipin Negociator dhe do ua japë edhe në formë të shkruar informacionet e përgjithshme për periudhën e deritashme të bisedimeve. Në këtë proces historik, ne do të punojmë së bashku dhe në koordinim me njëri-tjetrin”.

 

Ekipi negociator, i përbërë nga përfaqësuesit e Qeverisë dhe njërës nga partitë opozitare, ka kërkuar ditëve të fundit që t’i ketë në dispozicion të gjitha dokumentet zyrtare që ndërlidhen me procesin negociator të Kosovës dhe Serbisë në Bruksel.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re