Kreu i PD-së Lulzim Basha ka reaguar lidhur me dorëheqjen e dhënë nga ana e presidentit të Kosovës Hashim Thaçi, i cili do të përballet me aktakuzën për krime lufte në Kosovë.

Basha shprehet se ai është i bindur se Thaçi, Veseli e Krasniqi, do ti fajtojnë të gjithë botës së akuzat e ngritura ndaj tyre janë të padrejta.

Postimi i Bashës:

Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ishte një luftë e drejtë përballë agresionit dhe krimeve kundër njerëzimit e spastrimit etnik që regjimi kriminal i Millosheviçit po kryente ndaj popullsisë së pambrojtur në Kosovë. Anëtarët e UÇK-së, pjesëmarrës në këtë luftë të pabarabartë, janë përballur e kanë dalë faqebardhë ndaj akuzave të ndryshme që janë ngritur ndaj tyre. Të tjerë luftëtarë po përballen sot.

Jam i bindur se edhe ata, që nga presidenti Hashim Thaçi, kryetari i PDK Kadri Veseli, ish kryetari i Kuvendit Jakup Krasniqi e luftëtarë të tjerë të UÇK-së, do t’i faktojnë drejtësisë dhe mbarë botës se aktakuzat ndaj tyre janë të pabaza.

Askush nuk mund të barazojë viktimën me agresorin. Askush nuk mund të barazojë luftën e drejtë të UÇK-së për dinjitet njerëzor dhe liri, me masakrat dhe genocidin e ushtruar nga hordhitë kriminale të Millosheviçit ndaj popullsisë civile të Kosovës.

Lufta e UÇK-së pati në krah të saj Aleancën e Atlantikut të Veriut me në krye SHBA, sepse ishte një luftë e drejtë. Shqiptarët patën në krah dhe mbrojtje të tyre të gjitha vendet demokratike të botës sepse ndaj tyre po kryeheshin krimet më çnjerëzore.

Asnjë shqiptar i Kosovës nuk i është fshehur drejtësisë por është përballur dhe ka ngadhnjyer. Jam i bindur se edhe këtë herë e vërteta do të ngadhnjejë dhe se asgjë nuk do mund të përbaltë luftën e drejtë të UÇK për liri.

/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re