Një nënë dhe dy fëmijët e saj kanë vdekur nga uria dhe etja në Somalinë jugperëndimore. Administrata lokale shpreh frikën se vdekjet mund të jenë shumë më të mëdha për shkak të thatësirës që ka përfshirë provincën Bakool.

Mohamed Kheyr Salaad, Komisioneri i Qarkut Rabdhura, tha për mediat lokale se distrikti ishte prekur rëndë nga thatësira dhe shprehu frikën se më shumë njerëz mund të vdesin nga mungesa e ujit dhe ushqimit.

Ai tha se rajoni është bllokuar nga grupi terrorist al-Shabaab i lidhur me Al-Kaedën për tetë vjet, duke e bërë të pamundur për njerëzit marrjen e ndihmës humanitare.

“E vetmja mënyrë për të arritur njerëzit fatkeq që vuajnë nga bllokada është nga ajri ose nga rrugët që të çojnë në kufirin me Etiopinë”, tha Salaad.

Ai shtoi se kriza aktuale i ka tejkaluar kapacitetet e administratës rajonale.

Somalia dhe Briri i Afrikës janë kthyer në një vatër të thatësirës ekstreme në dekadat e fundit, kurse më shumë se 4,3 milionë njerëz kanë nevojë për ndihmë humanitare në Somali për shkak të thatësirës së lidhur me ndryshimet klimatike.

Organizatat ndërkombëtare humanitare kanë thënë se 700.000 krerë gjedhë dhe dele kanë ngordhur nga thatësira në rajon në dy muajt e fundit.

Qeveria somaleze ka shpallur tashmë gjendje të jashtëzakonshme humanitare të thatësirës.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re