E përditshmja britanike “The Guardian” i kushton këtë të dielë një artikull të posaçëm shitjes së armëve britanike Izraelit.

Kjo e përditshme thotë se kontraktorët britanikë të mbrojtjes po i shesin Izraelit një sasi rekord armësh, e se kjo bëhet e ditur vetëm pak ditë pas konfirmimit se princi William do të përfaqësojë qeverinë britanike në një vizitë në këtë vend muajin e ardhshëm.

Shifrat e marra nga Fushata Kundër Tregtisë së Armëve (Campaign Against Arms Trade) tregojnë se Britania e Madhe dha vitin e shkuar licensa armësh në vlerën e 221 milionë paundëve për kompanitë e mbrojtjes që eksportojnë në Izrael.

Kjo e bën Izraelin tregun e tetë më të madh të Britanisë për kompanitë britanike të armëve. Në tërësi, sipas “The Guardian”-it, Izraeli ka blerë gjatë pesë viteve të shkuara më shumë se 350 milionë paundë pajisje ushtarake britanike.

Licensat e dhëna përfshijnë një gamë të gjerë armatimesh, që nga municioni për armët e vogla te snajperat dhe raketat.

Kryeministrja britanike i ka mbështetur thirrjet për një hetim ndërkombëtar për dhunën izraelite që la të vdekur rreth 60 palestinezë javë më parë, por çështja është nëse armët britanike janë përdorur nga izraelitët në këtë gjakderdhje.

Andrew Smith, i cituar nga “The Guardian” si përfaqësues i Fushatës Kundër Tregtisë së Armëve, thotë se, “Me lejen e qeverisë (britanike), armët e Mbretërisë së Bashkuar janë përdorur në mënyrë të përsëritur kundër palestinezëve. Por shitjet e armëve kanë vazhduar pa u pakësuar. Duhet të ketë një hetim të plotë nëse armët britanike janë përdorur në mizoritë që kemi parë gjatë muajve të fundit.”    

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re