Vetëm pak orë para se presidenti amerikan Donald Trump të bëjë të ditur vendimin e tij në lidhje me marrëveshjen bërthamore me Iranin, të arritur gjatë presidencës së Obama-s, “The New York Times” pretendon se SHBA-ja do të tërhiqet nga marrëveshja.

E përditshmja amerikane flet për një bisedë telefonike mes Trump-it dhe homologut francez, Macron-it, mëngjesin e kësaj të marte, në të cilën ai i ka bërë të ditur vendimin e tij.

Sipas burimit të cilit i referohet “The New York Times” sa ka të bëjë me bisedën telefonike mes dy shtetarëve, Shtetet e Bashkuara të Amerikës po përgatiten t’i rivendosin të gjitha sanksionet ndaj Iranit, përpos sanksioneve të tjera shtesë ekonomike.

Një vendim i tillë i Trump-it do t’i lëkundte marrëdhëniet e amerikanëve me aleatët europianë, të prirur për t’iu përmbajtur marrëveshjes bërthamore me Iranin. I njëjti mjet informimi nënvizon po ashtu se kjo do të shtojë tensionet me Rusinë dhe Kinën, që janë palë në marrëveshjen.

Ndërkohë, “Russia Today” thotë se zyra e presidentit francez i ka mohuar njoftimet e mësipërme.

Marrëveshja e vitit 2015 me Iranin u nënshkrua nga pesë anëtarët e përhershëm të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, Rusia, Kina, SHBA-ja, Britania dhe Franca, si dhe nga Gjermania.

 

 

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re