Qeveria e Malit të Zi ka miratuar propozim-vendimin për hapjen e konsullatës së Malit të Zi në Antalie. Në vendimin e Qeverisë thuhet “hapet konsullata e Malit të Zi në Antalie me konsullin e nderit dhe kompetencat për rajonin e Antalies”.
Ministria e punëve të jashtme do të ndërmarrë të gjitha masat e duhura për aplikimin e këtij vendimi, i cili hyn në fuqi 8 dite pas shpalljes së tij në fletoren zyrtare të Malit të Zi.
Ndërkaq Ambasadorja e Turqisë në Mal të Zi, Songul Ozan u takua me ushtruesin e detyrës së drejtorit të drejtorisë për çështje të inspekcionit z. Ilir Harasani. Në takim ishte i pranishëm edhe këshilltari i Ambasadës për Çështje Tregtare, Erdal Karaömeroğlu. Në takim janë shqyrtuar modalitetet e bashkëpunimit ndërmjet drejtorisë së inspekcionit dhe Ambasadës së Turqisë. Po ashtu nga ambasada kanë theksuar së në Mal të Zi ekzistojnë mbi 400 sipërmarrje të regjistruara nga Turqia. Në takim u ra dakord që në një periudhë sa më të shpejtë të realizohet takimi i përbashkët me kompanitë turke me qëllim të tejkalimit të problemeve me të cilat ballafaqohen këto sipërmarrje, në mesin e të cilave janë, mosnjohja e gjuhës si dhe normat ligjore të vendit. U la që hapi i ardhshëm të jetë i orientuar në mbajtjen e seminareve dhe projekte të përbashkëta me qëllim që përmes edukimit të shmanget mundësia e shkeljes së ndonjë norme ligjore.
Mali i Zi kontribuues i stabilitetit në rajon
Mali i Zi është aleat i rëndësishëm i NATO-s, i cili jep kontribut të duhur për sigurinë euroatlantike, ka theksuar sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stolltenbert në konferencën e përbashkët me presidentin e Malit të Zi, Millo Gjukanoviq.
Stolltenberg ka theksuar se pjesëmarrja në misionin e KFOR-it është vendim nacional i Malit të Zi. Nga ana tjetër Gjukanoviq është i qëndrimit se duhet përforcuar misioni në Kosovë, mirëpo ka shtuar se vendimin për këtë do ta sjellë parlamenti i Malit të Zi.
Në Konferencën për mediat në Bruksel, Stoltenberg ka theksuar se Mali i Zi kontribuon në ndërtimin e stabilitetit në Ballkanin Perëndimor. Ai po ashtu ka përshëndetur faktin se Mali i Zi është duke ndarë më tepër fonde nga buxheti për sistemin mbrojtës.
“Si mund të llogaris NATO në Malin e Zi, po ashtu edhe Mali i Zi mund të llogaris në NATO”, ka theksuar Stoltenberg.
Gjukanoviq po ashtu ka theksuar se beson se NATO do ta vazhdojë politikën e vetë të zgjerimit.
Mali i Zi, siç ka theksuar ai është krejtësisht i gatshëm të realizojë të gjitha detyrimet që dalin nga agjenda e NATO-s.
Presidenti Gjukanoviq me këtë rast ka theksuar se nesër do të sjellë vendimin nëse do të nënshkruajë ligjin për Prokurorinë Shtetërore, të cilin kohë më parë e ka miratuar Parlamenti i Malit të Zi.
Bie numri i të infektuarve me koronavirus në Mal të Zi
Gjatë 24 orëve të fundit, nga pasojat e infektimit me virusin Covid-19, në Mal të Zi e kanë humbur jetën dy persona, kurse 73 të tjerë kanë rezultuar pozitiv në koronavirus. Numri i përgjithshëm i të vdekurve si pasojë e infektimit me Covid- 19 në Mal të Zi prej fillimit të pandemisë ka shkuar në 1.564 persona.
Siç është kumtuar, deri sot në ora 15.00 është konfirmuar edhe shërimi i 98 pacientëve. Numri i përgjithshëm i rasteve aktuale aktive me Covid-19 në Mal të Zi është 1.314, kurse prej fillimit të pandemisë në mars të vitit të kaluar ky numër ka shkruar në 98 mijë e 971 person.
Ndërkohë, siç kumtohet në QKMZ, 19 pacientë, pozitiv në koronavirus janë në rrezik për jetën.
Siç kumtohet, në këtë institucion shëndetësor aktualisht janë duke u trajtuar 42 pacientë të prekur me Covid-19.
Mali i Zi dhe qytetarët e tij mund të jenë të kënaqur me shkallën e deritashme të vaksinimit, ka vlerësuar shefja e zyrës të Organizatës botërore të shëndetësisë në Podgoricë Mina Brajoviq.
Ajo duke folur për vaksinimin masiv ka theksuar se shifrat flasin më së tepërmi. Ajo i ka përgëzuar autoritetet nacionale, si dhe qytetarët për raportin e përgjegjshëm ndaj imunizimit, i cili, siç ka theksuar ajo, është bazë e tërë përgjigjes nacionale ndaj pandemisë së Covid-19.
Ajo ka theksuar se të gjithë duhet të jenë të vetëdijshëm për faktin se ende jemi në fazën akute të pandemisë. Duke folur për rekomandimet që në Mal të Zi maskat të mbahen edhe në ambiente të hapura dhe të mbyllura, ajo ka sqaruar se të gjitha vendet kanë të drejtë që vendimet t’i sjellin në mënyrë të pavarur.
Në Ulqin promovohet libri “Ditari i përballjes me koronavirusin” i autorit Fatmir Toçi
Në një organizim të Qendrës për Kulturë të Ulqinit u bë promovimi i librit “Ditari i përballjes me koronavirusin, 55 ditët e mia në luftë me armikun e panjohur” të autorit Fatmir Toçi.
Me këtë ditar autori u drejtohet shqiptarëve për të respektuar masat e dhëna për parandalimin e përhapjes së koronavirusit. Autori përmes dialogut solli përvojën e tij me 55 ditët e përballjes me virusin vdekjeprurës dhe atë se çfarë ka ndodhur gjatë atyre ditëve në spitalin “Shefqet Ndroqi“ në Tiranë. Ai në radhë të parë ai i shprehu mirënjohje stafit të mjekëve dhe personelit ndihmës të këtij spitali për kujdesin e treguar por edhe të gjithë miqve të tij nga Shqipëria, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut etj. të cilët u interesuan për shëndetin e tij gjatë përballjes me koronavirusin.
Me mjaft interes publiku përcolli fjalën e prof. Perlat Kapisyzit, i cili ishte i pranishëm në këtë promovim , mjek ky i cili ishte përkujdesur personalisht për shëndetin e autorit të librit.
Ai dhe me këtë rast bëri apel për kujdes dhe respektimin e masave me qëllim të pengimit të përhapjes së koronavirusit. Ditari i Fatmir Toçit, ish-deputet në parlamentin e Shqipërisë dhe udhëheqës i shtëpisë botuese “Toena” është vlerësuar nga kritika si vepër e një intelektuali me dhunti të dëshmuara krijuese dhe se ajo përmban vlera shkencore dhe artistike.
Përndryshe Fatmir Toçi është mik i Ulqinit dhe kontribuues i organizimit të aktiviteteve më të rëndësishme kulturore ndër dekada si “Panairi i Librit”, dhe “Kolonia e piktorëve”, ku në aktivitete të këtij lloji kanë marrë pjesë burrështetasit më të mëdhenj të Ballkanit Perëndimor.
“Art Club” organizon sesion shkencor
Shoqata e Artistëve dhe Intelektualëve “Art Club” do të organizojë Sesionin shkencor “Shqiptarët në Malin e Zi gjatë tri dekadave të fundit (1990-2020)”, që do të mbahet në Ulqin më 23 maj 2021.
Qëllimi i sesionit është që përmes një analize shkencore shumëdimensionale t’i vështrojë, studiojë dhe analizojë disa nga proceset dhe dukuritë, të lidhura në mënyrë të drejtpërdrejtë apo të tërthortë me shqiptarët në Malin e Zi.
Sesioni është konceptuar të jetë multidisiplinar dhe në të do të trajtohen probleme dhe dukuri në fushën e gjuhës shqipe dhe përdorimit të saj, letërsisë që krijohet nga shqiptarët në Mal të Zi, historisë, demografisë, politikës, ekonomisë, kulturës, turizmit, diasporës, medias etj.
Në sesion do të marrin pjesë 15 studiues nga Mali i Zi dhe Shqipëria, ndërsa artikujt e lexuar do të botohen në një përmbledhje të posaçme.
Për Zërin e Turqisë nga Mali ti Zi përgatiti Vera ALIBEGU KATANA
