Policia e Beratit,e cila ka mbi 2-muaj që vijon të bllokojë malin e Tomorrit, për të pezulluar punën e firmave të nxjerrjes së gurit dekorativ në fshatin Novaj, ka bllokuar pasditen e sotme të gjithë kamionët e firmave të gurit, ndërkohë që prej disa orësh janë shoqëruar në Komisariatin e Policisë Skrapar disa pronarë firmash.

Kamionët e bllokuar në mal, kanë qenë të ngarkuar dhe policia nuk u ka dhënë asnjë shpjegim apo dokumentacion pronarëve për arsyen e ndalimit. Pas ndalimit të kamionëve, pronarë e drejtues mjetesh janë konfliktuar verbalisht me policinë dhe kjo e fundit ka shoqëruar në polici disa pronarë të firmave.

Pronarët pretendojnë prej kohësh që kanë dokumentacion të rregullt për vijimin e punës së tyre në rrasën e Novajt në Skrapar dhe kanë kërkuar nga policia e Beratit arsyen e bllokimit të mjeteve të tyre në mal. Pronarët e firmave të nxjerrjes së gurit dekorativ në malin e Tomorrit, edhe pse kanë disa muaj që kanë fituar gjyqin me qeverinë, VKM-ja e së cilës për shpalljen e malit të Tomorrit “Park Kombëtar” u rrëzua nga Gjykata Administrative e Apelit Tiranë, vazhdojnë të pengohen nga policia për të vijuar punën. Konflikti mes policisë dhe pronarëve të firmave të gurit është thelluar së tepërmi,ndërkohë që sot kamionët e firmave të gurit janë bllokuar të gjithë të ngarkuar në aksin Novaj-Tomorr.

Në lidhje me konfliktin e sotëm,bllokimin e mjeteve në mal dhe ndalimin në polici të pronarëve,askush nga policia nuk jep asnjë shpjegim në lidhje me situatën e krijuar.Po kështu,nga ana e policisë nuk jepet asnjë informacion edhe në lidhje me arsyet e bllokimit të mjeteve dhe ndalimit të pronarëve të firmave të gurit.

Prej disa muajsh,mali i Tomorrit është blinduar nga forca të shumta të policisë së Beratit,Skraparit e Poliçanit,të cilët vijojnë të qëndrojnë të shpërndarë në të gjithë malin,në 8 pikat strategjike të tij.(TCH)

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re