Gjykata Kushtetuese pritet që të jetë e bllokuar edhe për disa muaj. Pavarësisht kërkesës dhe ultimatumeve të ndërkombëtarëve, politika ka arritur që ta çojë aty ku donte procesin.

Më 17 korrik të këtij viti Këshilli i Emërimeve në Drejtësi s’kualifikoi nga gara të gjithë kandidatët, ndërkohë që hapja e garës për vakancat në Kushtetuese pritet të zgjasë edhe për pak kohë. Gazeta ka mësuar se 3 nga kandidatët e skualifikuar kanë ankimuar në Gjykatën Administrative të Apelit vendimin e KED.

Bëhet fjalë për Shaqir Hasanaj, Ardita Buna dhe Vjosa Bodo (Mujo), të cilët mësohet se kanë paditur në datat 3 dhe 4 gusht vendimet e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, i cili i skualifikoi nga gara për 2 vendet vakante që i takojnë Kuvendit dhe Presidencës në Gjykatën Kushtetuese.

Mësohet se relatorja që do të merret me shqyrtimin e këtyre ankimimeve në këtë gjykatë është zonja Alkelina Gazidedja.

Kështu që nisur nga këto zhvillime, por edhe për faktin se deri në shqyrtimin e padive të tre prej kandidatëve të skualifikuar, si dhe vonesave që pritet të sjellë zbardhja e vendimit nga ana e Gjykatës Administrative të Apelit në Tiranë, ngritja e Kushtetueses do të ndodhë në një moment tjetër.

Edhe nëse tre kandidatët që kanë ankimuar vendimet e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi mund të fitojnë të drejtën për të rihyrë në garë, nuk krijohet kuorumi dhe për rrjedhojë pritet të rihapet gara nga dy institucionet e emërtesës që kanë tagrin që të plotësojnë vakancat.

Kështu që referuar ligjit, si Kuvendi ashtu dhe Presidenca do të duan rreth një muaj të përmbyllin listat e tyre dhe më pas t’i dërgojnë në KED, i cili do të bëjë verifikimet e nevojshme.

Mirëpo tradita ka treguar se Këshilli i Emërimeve në Drejtësi do rreth 3 muaj që të mbyllë procesin e verifikimit, intervistimit dhe përzgjedhjes. Pra edhe sikur Kuvendi me Presidencën të hapin garën në gusht, emrat do shkojnë në shtator.

Nga ana tjetër në fillim të dhjetorit do të ndryshojë përbërja e KED. Sipas ligjit do të hidhet shorti për të zgjedhur anëtarët e tjerë dhe kjo pritet të krijojë vonesa në vijimin e punës.

Pra me gjasë edhe këtë vit Kushtetuesja do të ketë vetëm 3 anëtarë, përfshirë Vitore Tushën që është pa mandat.

Nisur nga këto detaje ngritja e Kushtetuese pritet të kërkojë edhe pak kohë. Megjithatë, mbetet të shihet në ditët në vijim se çfarë do të ndodhë më konkretisht.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re