Skip to content

Thellohet përçarja e PD-së! Basha depoziton kërkesën për të rikandiduar për kreun e partisë pas mbledhjes së Këshillit Kombëtar! Kush janë deputetët që braktisën takimin





Lulzim Basha shpalli dje kandidaturën për kreun e ri të PD-së. Mësohet se ai ka depozituar kërkesën për të rikandiduar për kryetar pranë Komisionit Zgjedhor të ngritur nënë PD, për organizimin e zgjedhjeve.

Depozitimi i kërkesës së Bashës u bë dje pas mbledhjes së Këshillit Kombëtar të PD-së. Zgjedhjet për kryetarin e ri të Partisë Demokratike do të mbahen në datë 29 Korrik, ndërkohë që pritet që në javët në vijim të nisë edhe fushata brenda partisë. Por mbledhja e djeshme e Këshillit Kombëtar të PD-së veçse thelloi përçarjen brenda PD-së.

Nisi me një orë vonesë dhe pa pjesën dërrmuese të deputetëve demokratë mbledhja e Këshillit Kombëtar të mbështetësve të Lulzim Bashës, të cilët miratuan ngritjen e Komisionit Zgjedhor që do administrojë procesin elektoral për kreun e ri të partisë në 29 Korrik.

Jemin Gjanës, si anëtari më i vjetër, i takoi ta hapë këtë mbledhje, i cili u mundua ta justifikojë vonesën me orarin jo fort të përshtatshëm që caktoi Kryesia. Me shifra, në ndihmë i erdhi Sekretari për Çështjet Ligjore. Por kjo mbledhje që duhet të ishte bashkuese duket se thelloi edhe më tej hendekun mes demokratëve.

17 deputetë që përbëjnë edhe shumicën në grupimin “Bardhi” e bojkotuan këtë mbledhje me argumentin se është në shkelje flagrante të statutit dhe vetë rregullores së brendshme të miratuar në 15 Janar të vitit të kaluar nga Këshilli Kombëtar. Teksa dje ishte afati i fundit për dorëzimin e kandidaturave në garën për kreun e ri të PD-së, ende nuk është depozituar zyrtarisht një e tillë.

Teksa 329 anëtarët e këshillit miratuan një rezolutë që mbështet nisjen e zgjedhjeve nga kryetari, Sekretari i Përgjithshëm Gazment Bardhit dhe 16 deputetët që e mbështesin, janë shprehur se nuk do të njohin asnjë proces që bie ndesh me statutin. Përmes një deklarate, disa deputetë dhe anëtarë të Këshillit, shprehen se mbledhja e djeshme e Këshillit Kombëtar ishte anti-statutore dhe pa kuorumin e nevojshëm.

Ata thanë se do të ndërmarrin iniciativën për të kontaktuar individualisht dhe vlerësuar vullnetin e secilit anëtar legjitim të Këshillit Kombëtar mbi situatën në Partinë Demokratike. Gjithashtu ata bënë me dije se do të vazhdojnë përpjekjet për forcimin e Partisë Demokratike.

“Ne, deputetët, anëtarët e Kryesisë dhe anëtarët e Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike, me shqetësim kemi ndjekur aktet e njëanshme të ndjekura nga një pjesë e Kryesisë së Partisë, të cilat kanë kulmuar sot me një falsitet antistatutor, duke konsideruar një takim pakuorum, si mbledhje të Këshillit Kombëtar të PD. Pasi kemi marrë kopje të anëtarësisë së Këshillit Kombëtar të PD të depozituar dhe regjistruar në Zyrën e Regjistrit të Partive Politike pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë dhe konfirmimin zyrtar të organeve përgjegjëse statutore, konstatojmë se Këshilli Kombëtar i PD ka aktualisht në detyrë 453 anëtarë nga 478 anëtarë gjithsej të dalë nga Kuvendi Kombëtar i PD datë 17 Korrik 2022.

Me përgjegjësinë për të mbrojtur interesin e demokratëve dhe Partisë Demokratike, konstatojmë se sot nuk ka pasur një mbledhje legjitime të Këshillit Kombëtar të PD-së. Duke e konsideruar antistatutor rezultatin e takimit të sotëm, për të shmangur një tjetër ngërç në PD, për të ndalur përçarjen e mëtejshme të Partisë Demokratike, si dhe për të garantuar forcimin e Partisë Demokratike, deklarojmë se: Duke nisur nga sot do të ndërmarrim iniciativën për të kontaktuar individualisht dhe vlerësuar vullnetin e secilit anëtar legjitim të Këshillit Kombëtar mbi situatën në Partinë Demokratike dhe do të vazhdojmë përpjekjet për forcimin e Partisë Demokratike, të bindur se aktet përçarëse, përjashtimet, njëanshmëria dhe nxitimi, nuk ndihmon në ringritjen e PD-së”, thuhet në reagimin e grupit të Bardhit.

“”