Themeluesi i Rrjetit të Gazetarisë Etike (EJN) me qendër në Londër, Aidan White, tha se media perëndimore ka një paragjykim në mënyrën e transmetimit të konfliktit izraelito-palestinez në interes të Izraelit dhe tha se kjo ka shkaktuar zhgënjim.

White, iu përgjigj pyetjeve të gazetarit të AA-së në “Samitin e 11-të Botëror të Inovacionit për Arsimin (WISE)” që zhvillohet në kryeqytetin e Katarit, Doha dhe në të cilin Agjencia Anadolu është partner në Komunikimin Global.

Duke vënë në dukje se e ardhmja e gazetarisë në epokën e inteligjencës artificiale do të jetë “e mirë dhe e sigurt”, White tha se për këtë duhet t’u qëndrohet vlerave bazë dhe se lajmet e prodhuara duhet të jenë të sakta dhe të besueshme.

White bëri të ditur se në të ardhmen gazetarët duhet t’u përmbahen vlerave morale të tyre dhe moralit të punës si dhe shtoi se “Gazetarët duhet të jenë një pjesë e lëvizjes që ndihmon njerëzit e botës në një periudhë kur konfuzioni, dezinformimi dhe komunikimi shpeshherë keqpërdoren”.

Ndaj pyetjes nëse është e mundur që inteligjenca artificiale të prodhojë lajme në të ardhmen, White u shpreh se gazetaria përfiton nga inteligjenca artificiale në shumë fusha.

Inteligjenca artificiale do të sigurojë që gazetarët të bëjnë më shumë kërkime dhe analiza, theksoi White, i cili tha se “Inteligjenca artificiale është e pa mundur të zëvendësojë inteligjencën sociale të një gazetari të aftë që kupton nuancat e komunitetit të cilit i shërben”.

– “Nuk mund të shohim një qëndrim të barabartë në trajtimin e kësaj çështjeje në median perëndimore”

Ndër të tjera White theksoi se gazetarët duhet t‘i kushtojnë vëmendje termave dhe kontekstit që përdorin kur raportojnë se çfarë po ndodh në Gaza.

Pasi bëri të ditur se është e vlefshme që të shqyrtohen se kush janë jetët e humbura në Gaza, White tha se “Nuk mund të shohim një qëndrim të barabartë në trajtimin e kësaj çështjeje (për Gazën) në median perëndimore”.

White theksoi se njerëzit e marrë peng nga Izraeli deklarohen si “të burgosur” dhe jo si “peng”, ku dhe përdorimi i kësaj gjuhe përmban “paragjykime, stereotipe dhe diskriminimin të papranueshëm”.

Më tej White tërhoqi vëmendjen se media shumë herë nuk është e vetëdijshme për këtë dhe se mungesa e kësaj vetëdijeje është një problem i madh.

– “Në luftën në Gaza shohim për herë të parë që media ka vështirësi të bëjë zgjedhje”

Në vlerësimin e tij për mos lejimin e hyrjes së gazetarëve të huaj në Gaza nga Izraeli, White u shpreh: “Siç ndodh gjithmonë në konflikte dhe zona të ngjashme, arsyeja e kësaj është sepse ata nuk duan që gazetarët të afrohen për të hetuar atë që ndodh”.

White shpjegoi se liderët politik nuk duan që gazetarët të tregojnë se çfarë po ndodh saktësisht dhe se të gjitha palët në një konflikt bëjnë më të mundurën e tyre që të manipulojnë që mesazhet të jenë në përputhje me interesat e tyre.

“Në luftën në Gaza shohim për herë të parë se media ka vërtet vështirësi të bëjë zgjedhje se si të mbulojë (të bëjë lajm) çështje në të cilat shtrohen pyetje të qarta dhe të rëndësishme”, tha White duke shprehur më tej se roli i ligjit ndërkombëtar humanitar është të sigurojë që për problemet lidhur me trajtimin ndaj civilëve dhe njerëzve viktima të dhunës, të japin llogari jo vetëm një palë, por të gjithë ata që janë të përfshirë dhe që vlerat themelore humane të respektohen me të vërtetë.

– “Media nuk ka arritur t‘i përgjigjet shqetësimeve të qarta të publikut lidhur me këtë luftë”

Duke vënë në dukje qëndrimin e disa institucioneve të mediave në Perëndim lidhur me konfliktin Izrael-Palestinë, White tha se “Ka shkaktuar me të vërtetë zhgënjim të shohësh se shumë media evropiane dhe shumë media perëndimore kanë një paragjykim të rëndë në mënyrën e transmetimit të këtij konflikti në interes të Izraelit”.

Kjo ka treguar se “Media duhet të bëjë më shumë për ta shpjeguar në mënyrë të drejtë dhe të saktë ngjarjet e ndodhura”, tha White, duke theksuar se përjetimet në Gaza, janë një “konflikt global që kuptohet mirë në të gjithë botën”, dhe se prova e kësaj është pjesëmarrja e mijëra njerëzve në demonstrata dhe protesta në qytetet e mëdha në Evropë dhe në mbarë botën.

Pasi bëri të ditur se ajo që po përjetohet në Gaza nuk është “një mosmarrëveshje e vogël lokale”, White bëri vlerësimin e tij se “Do të jetë mirë që media të pasqyrojë me saktësi shqetësimin e përhapur publik, të shprehur nga miliona njerëz në rrugët e kryeqyteteve të botës se ato që po ndodhin në të vërtetë janë të papranueshme”.

White deklaroi se “pauza humanitare në Gaza” nuk u realizua me presionin e medias por, por për shkak të protestave masive.

“Media ka dështuar që të japë përgjigje ndaj shqetësimeve të hapura të opinioni lidhur me këtë luftë dhe çmimin e kësaj do ta paguajë rëndë. Sepse, sërish aftësia për të paraqitur informacion që mund t‘i besojnë në një mënyrë që pasqyron këndvështrimin e tyre, nënkupton një rënie rrënjësore në besimin e publikut ndaj medias dhe gazetarisë”, shtoi White.

Burimi: AA

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re