Shumë banorë të fshatit Torovicë në Lezhë janë zgjuar për të parë se bagëtitë e tyre janë vjedhur dhe jo vetëm.

Të paktën 4 familje kanë rënë pre e grabitjes së hajdutëve, të cilët ende nuk janë identifikuar. Veçse kësaj here, duket se akti i shëmtuar është bërë edhe më i rëndë, kur pronarët e bagëtive kanë parë nëpër stalla apo vendet ku kanë qëndruar bagëtitë. Këto të fundit janë vjedhur, por jo përpara se të thereshin. Siç tregon një banore e zonës e cila në mëngjes ka parë gjakun e kokat e dy bagëtive të vjedhura.

 “Kur kam shkuar e kam gjet vendin me gjak. Dy krena thinjsh, njëri është 100 kile, tjetri 40. Të dy m’i kanë marrë. I kan prerë në qafë. Qente kanë leh gjithë natën, ne se kemi ndier.”-tregoi ajo.

“Mua më morën dy viçë. Policia ka ardhur e s’ka vëzhguar. Ata (grabitësit) janë të zonës patjetër”-tregoi një tjetër banor.

“Këto janë të ardhurat e vetme që kemi… Ne duhet me shit lopët e me ik nga këtu.”-shtoi një banore.

Stallat banorët i kanë pranë shtëpive, por është e pamundur t’i ruash ato 24 orë në ditë. Raportimet e kësisoj vjedhjesh nuk janë të padëgjuara, ndërsa banorët shprehen se një ngjarje e tillë është e përsëritur.

Banorët kanë kërkuar që autoritetet të rrisin prezencën e forcave policore apo patrullimeve, veçanërisht gjatë orëve të natës.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re