Policia e Vlorës ka bërë të ditur se ka nisur procedim penal ndaj dy personave në Vlorë, pasi akuzohen për “Korrupsioni aktiv në zgjedhje” dhe “Korrupsioni pasiv në zgjedhje”.

Sipas policisë, procedimi ka nisur ndaj shtetasit turk Abdulgafur Balikci, si dhe ndaj shtetasit shqiptar Jorisild Muçaj.

“Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Vlorë, në vijim të punës për parandalimin dhe goditjen e krimeve zgjedhore, proceduan penalisht shtetasin turk A. B., 23 vjeç, banues në Vlorë dhe shtetasin J. M., 24 vjeç, banues në Vlorë.

Shtetasi J. M. dyshohet se në kohë të ndryshme ka marrë një shumë lekësh nga shtetasi A. B., për sigurimin e disa emrave personash të njohur prej tij për dhënie vote në zgjedhjet parlamentare 2021”, bën të ditur policia.

Burime për Report TV një natë më parë thanë se vota po blihej në favor të partisë Lëvizja Socialiste për Integrim, por kjo thuhet në njoftimin e policisë.

Gjatë ndalimit të tyre sipas burimeve janë gjetur një bllok me emra, të personave që dyshohet se do u blinin votën si edhe u janë sekuestruar telefonat celular për shkak se ka pasur biseda që konfirmonin këtë vepër penale.

Dy personat po procedohen penalisht dhe çështja do të ndiqet nga SPAK, si kompetenti për hetimin e krimeve zgjedhore.

Më herët një tjetër rast i ngjashëm është raportuar edhe në Pukë, ku kanë rënë në pranga sekseri dhe nën hetim drejtuesi politik i LSI-së, Vasil Shabani dhe Demir Syla, teksa iu gjetën një sasi prej 528 mijë lekësh si edhe një listë me emra.

Pas raportimit të këtij rasti, ka ardhur edhe reagimi i LSI-së, ku e kanë mohuar të jenë përfshirë në shitblerje të votave, por po bënin prova për votimin./ Gazeta Tema

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re