Gjatë fundjavës, kur Thethi ka pritur numrin më të madh të vizitorëve që prej verës së kaluar, megjithatë e gjithë pika turistike ka mbetur pa energji elektrike.

Disa turistë francezë kanë denoncuar këtë problem përmes një videoje të regjistruar mbrëmjen e së dielës. Ata duket se janë duke konsumuar darkën nën dritën e qirinjve.

“Në jemi në Theth. Kemi ardhur nga Franca dhe shikoni këtu nuk ka elektricitet. Është orë 20:00 dhe jemi me qirinj në vitin 2023. Është e pamundur! Mikpritja dhe çdo gjë është e mrekullueshme. Faleminderit shumë, por pa drita, të vjen keq. Dikush duhet të bëjë diçka!“, thanë ata.

Pakënaqësitë e shprehura nga turisët vijnë pak ditë pas protestës së organizuar nga operatorët turistikë të Thethit, për problemet që sjell mos furnizimi siç duhet me energji elektrike. Të organizuar pranë hidrocentralit në Nderlysaj, thethjanët akuzojnë drejtuesit e hidrocentralit me koncension si përgjegjës.

Ata thanë se tre bujtina janë djegur në vitet e fundit si rezultat i luhatjeve të energjisë, ndërsa pajisjet elektroshtëpiake që dalin jashtë përdorimit janë të përvitshme.

Në një kohë që Thethi ka hapur dyert, duke pritur me qindra vizitor, dy janë problemet kryesore me të cilat përballen bujtinat: Furnizimi i rregullt me energji elektrike dhe pastrimi i mbeturinave.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re