Skip to content

Theu masën ‘arrest me burg’, arrestohet 23 vjeçari që qarkullonte me armë në makinë

WhatsApp Image 2023 03 26 at 1.45.16 PM

Një 23 vjeçar është vënë në prangat e policisë së Tiranës pasi theu masën e arrestit me burg. 23 vjeçarit iu gjet në makinë edhe një armë. Pas një kontrolli në banesë, policia i gjeti të riut një sasi municioni luftarak (180 fishekë), të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale së bashku me pistoletën.

Njoftimi i policisë:

Finalizohet nga Komisariati i Policisë Nr. 3, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme “Shqiponja”, operacioni policor i koduar “Zastava”.

Qarkullonte me automjet i armatosur dhe kishte shkelur masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”, vihet në pranga 23-vjeçari.

Sekuestrohen një armë zjarri pistoletë dhe municion luftarak.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 3 në bashkëpunim me Forcën e Posaçme “Shqiponja”, në vijim të punës për goditjen e paligjshmërisë në fushën e armëmbajtjes pa leje, bazuar dhe në inteligjencën informative për një shtetas që qarkullonte i armatosur në rrugën “Egnatia”, menjëherë kanë organizuar punën për kapjen e tij dhe kanë finalizuar operacionin policor të koduar “Zastava”.

Si rezultat i tij u arrestua në flagrancë shtetasi S. K., 23 vjeç, banues në Tiranë.

Në rrugën “Egnatia”, shërbimet e Policisë kanë ndaluar automjetin me drejtues shtetasin S. K., dhe gjatë kontrollit të automjetit, gjetën një armë zjarri pistoletë. Në vijim të veprimeve, gjatë kontrollit të banesës u gjet një sasi municioni luftarak (180 fishekë), të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale sëbashku me pistoletën.

Pas verifikimeve të kryera ka rezultuar se 23-vjeçari, kishte shkelur masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”.

Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale.