Emigrantët që mundën të kalojnë kanalin anglez me varka të vogla, kanë marrë tashmë letra paralajmëruese, se mund të dërgohen në Ruandë (Afrikë).

Lajmërimin e një vendimi politik mjaft të debatuar në Britani, e morën edhe një grup i vogël emigrantësh nga Shqipëria. Edhe ata mund të deportohen në Ruandë, pasi janë kapur nga autoritetet britanike.

Një prej 7 emigrantëve të grupit të fundit që u kap, është një shqiptar rreth të 20-tave. Edhe ai mund të deportohet. Media britanike Daily Mail i ka kushtuar një artikull rastit, teksa ka marrë në intervistë nënën e të riut, një grua që jeton në një fshat të Shqipërisë.

Po sjellim më poshtë, pjesë nga artikulli i Daily Mail.

Artikulli

Teksa na flet nga një dhomë e banesës së saj në një fshat të largët, nëna e emigrantit shqiptar, e cila është në të pesëdhjetat, na tregoi: Zoti e ndihmoftë djalin tim!

“Im bir më tregoi se do të vriste veten nëse Britania e dërgon për të jetuar në Afrikë. I lutem kryeministrit Johnson, të mos e dërgojë tim bir në Ruanda. Nuk do e shoh më kurrë tim bir”-thotë nëna e emigrantit.

Ajo kujton momentin e fundit me të birin. I dha puthjen e lamtumirës në kohën e Krishtlindjeve (dhjetor) teksa ai u nis në Britani për të punuar në ndërtim.

“Im bir donte të shkonte në Britani, por edhe të qëndronte me mua. Mendja e tij ishte e dyzuar. Tani unë jam e vetme. Me dy lopë që janë e vetmja e ardhur e imja. Kur djali mbërriti në Britani, nuk më tha se e kishin kapur. Disa javë më parë më telefonoi. Dukej i trembur. Më tregoi se autoritetet britanike do ta dërgonin në Ruanda. Ai më tregoi se nëse do ta detyronin të jetonte në Afrikë, do të varte veten. Fjalët e tij ishin: Atje nuk shkoj!”-tregoi nëna e emigrantit shqiptar.

Emigranti, ashtu si qindra të rinj shqiptarë që nisen drejt Britanisë, i kishte treguar autoriteteve se trafikantët kishin organizuar të gjithë rrugëtimin e tij, fillimisht nga fshati i tij në veri të Shqipërisë, e mandej në Francë. Pasi kishte kaluar 7 muaj në një kamp emigrantësh atje, ishte nisur përmes kanalit anglez drejt Britanisë.

Sipas autoriteteve policore shqiptare, i riu nuk ka asnjë rekord kriminal.

Kur e pyetëm nënën e të riut sesi ai i gjeti paratë për udhëtimin, ajo tha: Mbase trafikantët që e kanë dërguar atje do ta vinin në punë për të bërë para e për të paguar udhëtimin e tij.

Sipas burimeve, djali (si shumë të tjerë) ishte drejt deportimit, kur në dritë doli një vendim i Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut dhe fluturimi u anulua. Këtë fundjavë, ai ndodhet ende në qendrat e paraburgimit, ndërsa autoritetet presin përfundimin e rishikimit të ligjit (nga Gjykata e Lartë) për deportimin e emigrantëve në Ruandë.

10 emigrantë shqiptarë, të cilët janë pjesë e disa dhjetëra të kapurve nga autoritetet britanike, kanë marrë njoftim se do të dërgohen në Ruanda.

Burimi: Daily Mail/ Përshtati me disa shkurtime: Shqiptarët për Shqiptarët.info

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re