Autoritetet e Letonisë, një vend baltik dhe fqinj i Rusisë, u bënë thirrje qytetarëve të tyre që t’i kthejnë bodrumet e shtëpive të tyre në strehimore për sulmet ajrore, me rastin e ditës tradicionale kombëtare të pastrimit të vendit.

Letonia, një ish-republikë e Bashkimit Sovjetik dhe tani një anëtare e NATO-s dhe Bashkimit Evropian, ndan një kufi 214 km me Rusinë, duke shkaktuar frikë në Riga se vendi mund të jetë ndër objektivat e parë të Moskës në rast të një fitoreje në Ukrainë.

“Ne i bëjmë thirrje të gjithëve, gjatë dhe pas pastrimit të madh, të sigurohen që bodrumet tuaja mund të shërbejnë si strehimore emergjente,” tha kryetari i bashkisë së Rigës, Vilnis Kirsis.

Ndërkohë, “punonjësit e bashkisë do të kujdesen për bodrumet në pronësi të qytetit“, tha ai në një deklaratë.

Nga ana e tij, Gijs Rainsons, kreu i komitetit të mbrojtjes civile të kryeqytetit të Letonisë, tha se “bodrumet e ndërtesave publike, shkollave, shtëpive të të moshuarve, spitaleve dhe bashkive do të kontrollohen nga autoritetet, të cilët do t’i përgatisin që njerëzit të fshihen në to në rast sulmi”.

“Ne synojmë të përgatisim rreth njëqind streha për bomba çdo muaj deri në fund të vitit”, tha ai për rrjetin TV24.

Në mars, kryeministrja letoneze Evika Silina paralajmëroi për rrezikun e veprimeve të paparashikueshme nga Rusia, të cilën ajo e krahasoi në këtë moment me “një alkoolike ose një të varur nga droga”.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re