Drejtoresha e Institutit të Statistikave (INSTAT), Elsa Dhuli deklaroi se në të gjithë territorin e vendit ka nisur sot procesi i numërimit të qytetarëve dhe kushtet e tyre të banesave.

Në një deklaratë për mediet, rreth gjashtë orë pas nisjes zyrtarisht të procesit, Dhuli i bëri thirrje çdo qytetari në vend që t’i kushtojë disa minuta procesit të regjistrimit, duke bashkëpunuar me anketuesit në teren pasi Censi është një e mirë publike në interes të tyre.

“Në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë, punonjës të INSTAT, anketues, kontrollore dhe mbikëqyrës kanë dalë në terren për të numëruar popullsinë rezidente në Shqipëri dhe kushtet e tyre të banesës”, informoi Dhuli.

Sipas saj, ky është një proces statistikor, por me përmasa të një rëndësie të veçantë për vendin.

“Deri tani, referuar sistemit të monitorimit si dhe nga përfaqësues të INSTAT-it në terren procesi po shkon mirë. Janë regjistruar në aplikacion pjea më e madhe e anketuesve. Janë në proces intervistimi rreth 1500 intervista, prej të cilave janë përfunduar rreth 800 pyetësor”, tha Dhuli.

Siç tha ajo, ky proces do të zgjasë gjashtë javë.

“Të dhënat e grumbulluara i vijnë në ndihmë qeverisë që të vendosë sesi t’i shpërndajë fondet dhe ndihmën për qarqet dhe bashkitë. Autoritetet vendore do ta përdorin këtë informacion për të përcaktuar se ku të ndërtojnë, duke nisur nga shkollat, shtëpitë dhe spitalet e deri te rrugët dhe rrjetet e ujësjellësit”, tha Dhuli.

Ajo shpjegoi se për këdo që refuzon t’i përgjigjet pyetësorit ligji parashikon penalitete.

“Aktiviteti i Censit mbështetet mbi një bazë ligjore dhe është e detyrueshme përgjigja e pyetësorit. Patjetër ka penalitete konform ligjit për këdo që refuzon”, bëri të ditur Dhuli.

Ajo tha se ka tre pyetje opsionale dhe ato lidhen me etninë, fenë dhe gjuhën. /atsh/

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re