Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj është takuar me banorët e zonës së Petrelës, të Farkës si edhe Baldushkut, ku është shprehur se investimet në këto zona kanë sjellë një transformim të jashtëzakonshëm.

Ai u shpreh se me shtimin e parkut të dytë atë të Farkës, është rritur vlera e pronës dhe iu është dhënë kryeqytetit një “mushkëri” e re.

“Tirana kishte vetëm Liqenin e Tiranës, por edhe ky park ishte përgjysmë, se në anën tjetër mblidheshin gjithë rraqet e Tiranës, me susta, lavatriçe e bojlera e hedhurina. Si fillim, e dyfishuam Liqenin e Tiranës, pastaj shtuam parkun e dytë, Parkun e Farkës, i cili ka rritur vlerën e pronës dhe i ka dhënë Tiranës një mushkëri të re. Kur më thonë eja të numërojmë pemët që ke mbjellë, iu them: Numërojini një më një, se aty i keni, te Liqeni i Farkës, përgjatë gjithë Lanës, i keni në Prush, në Baldushk, në Petrelë. Kudo kemi vënë dorë! Po nuk vure dorë, po nuk preke diçka, asgjë nuk ndryshon. Këta që thoshin mos ma prek parkun, mos ma prek lumin, mos ma prek Teatrin, mos ma prek Pazarin, mos ma prek Kalanë, mos ma prek Bulevardin, mos ma prek Astirin, por po nuk i preke punët me dorë nuk ndryshon realiteti. Çdo punë që kemi prekur është bërë më e mirë.

Ne duam që të mos ndalojë autostrada në Farkë të Madhe. Prandaj, kanë filluar të 7 lotet e autostradës, nga Farka e Madhe në Surrel, nga Surreli te IKV-ja, nga IKV-ja te ‘Kokonozët’, nga ‘Kokonozët’ te Kodra e Priftit, nga Kodra e Priftit në Tufinë, nga Tufina në Paskuqan, nga Paskuqani në Kamëz, nga Kamza te ‘Treshi’, e mandej në Laprakë, ku përfundon e gjithë Unaza e Tiranës. Ne duam të vijojmë të njëjtën gjë edhe për disa nga zonat më periferike, siç është ura e re për lagjen e Bonarakëve, që po bëjmë, apo siç janë shumë prej rrugëve rurale. Duam që ky mandat i tretë, tani që kemi mbaruar projektet e mëdha, si Sheshi, Piramida, Tregu Agroushqimor, Unaza, Bulevardi i Ri, Pazari, Kalaja, Liqeni i Farkës, të shkojmë deri në cepin fundor, ku çdo shqiptar i mirë ta ketë shërbimin, ta ketë asfaltin, ta ketë rrugën, ta ketë urën,”  tha Veliaj.

Ai u shpreh se tani fermerët e zonës mund të shesin prodhimet e tyre bio në tregun e sapo hapur agroushqimor.

“Ne duam që fshati të fitojë, fermeri të fitojë, qytetari të fitojë, tregtari të fitoje, jo pronari i tregut. Sot filluam heqjen e monopolit të një tregu privat, që i shiste produktet që prodhohen këtu buzë Erzenit, te serat e Baldushkut, Petrelës, Farkës, sikur vinin nga Kolumbia apo Ekuadori. I shiste sikur të ishin bananet që vinin nga larg, ndërkohë që produktet rriten te nahija jonë, te lagja jonë, shkojnë në anën tjetër të Tiranës, merr fitimin privati dhe kthehen prapë te dyqani i lagjes me një çmim më të lartë. Sot e kemi thyer këtë monopol me tregun e ri agroushqimor, një kontribut i qeverisë dhe i bashkisë. Prandaj, na duhet qeveria se mund t’i bëjmë gjërat bashkë”, deklaroi ai.

Ndërsa ironizoi opozitën, duke thënë se: “Këta na thonë na jepni votën që të fitojmë Bashkinë dhe pastaj të rrëzojmë qeverinë, por këta qeverinë nuk e rrëzojnë dot me votë se nuk kanë vota. Këta nuk e rrëzojnë dot qeverinë me protesta. Qeveria punon për ne, për Bashkinë e Tiranës, për qytetarët e Farkës, Baldushkut, Petrelës. Ne qeverinë e kemi tonën, nuk e kemi të hasmit.”

 

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re