Skip to content

“Thyen xhamat e Bashkisë, dogjën dy bredha dhe goditën policin”, procedohen 9 të rinj pas protestës në Korçë

9 persona janë proceduar nga ana e Policisë së Korçës, pas protestës që është bërë dje, për të kërkuar drejtësi për vrasjen e 25-vjeçarit Klodian Rasha. 9 të rinjtë akuzohet se organizuan grumbullim dhe manifestim të paligjshëm, shkatërruan pronën dhe goditën për shkak të detyrës punonjësin e policisë.

Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Korçë, në bashkëpunim me strukturat e DVP Korçë, në përfundim të veprimeve të kryera, në lidhje me protestën e paligjshme të zhvilluar ditën e djeshme, përpara godinës së Drejtorisë Vendore të Policisë Korçë dhe Bashkisë Korçë, kanë filluar procedimin penal në gjendje të lirë ndaj shtetasve:

S.M., 30 vjeçe; E. M., 21 vjeç; H. K., 23 vjeç; E. V., 21 vjeç; K. Dh., 27 vjeç; E. T., 27 vjeç; Gj. L., 22 vjeç; S. D., 41 vjeç; D. H., 38 vjeç, banues në Korçë e Maliq.

Shtetasit e lartpërmendur, kanë protestuar në mënyrë të paligjshme duke hedhur sende të forta në drejtim të godinës së Bashkisë, ku për pasojë kanë thyer disa xhama, kanë shkatërruar dekoret festive, kanë djegur dy bredha dhe kanë goditur me sende të forta në kokë për shkak të detyrës, punonjësin e policisë M. J., i cili mori mjekim në Spitalin e Korçës dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Materialet në ngarkim të tyre i kaluan Prokurorisë të Rrethit Gjyqësor Korçë për veprime të mëtejshme.

/faxweb