Shqipëria është ende shumë larg sigurimit të vaksinës kundër Covid 19, ndërkohë që pikëpyetje shumë të mëdha ngrihen, nëse ka kapacitete për ruajtjen dhe transportimin e saj.
Mjeku urolog, Artan Koni, ngre alarmin sa i takon kapaciteve që ka vendi ynë lidhur me atë që quhet zinxhiri ftohës, dhe sipas tij vaksinat para se tiu bëhen qytetarëve do të skadojnë të gjitha, pikërisht për shkak të mungesës së kushteve për transportin e tyre.
“Vaksina e gripit ruhet në temperatura 2-8 gradë… E megjithatë, çdo vit, firon rreth 25 për qind e këtyre vaksinave ne rang botëror, si pasojë e problemeve të magazinimit apo transportimit nëpër pikat e vaksinimit. Vaksina anti-COVID ruhet në temperatura -70 gradë. Nëse supozojmë se nesër vijnë këto vaksina në Shqipëri, ato do të skadojnë të gjitha.
Sepse për të ruajtur këtë vaksinë, na duhet zinxhiri i ftohjes…zinxhir, të cilin nuk e kemi. Përpara se të zëvendësojmë pemën e Vitit të Ri që u dogj gjatë protestave, na duhet të ngremë një zinxhir ftohës për temperatura shumë të ulëta”, shkruan Koni në një postim në rrjetet sociale, ndërkohë që kërkon që Ministria e Shëndetësisë të japë sqarime nëse po bëhet punë në këtë drejtim.
Përveç Konit, edhe mjeku Erion Dasho, ironizon përmes një statusi duke lënë të nënkuptuar që Shqipëria e ka më lehtë të dërgojë qytetarët t’i vaksinojë në Antarktidë, se sa të ngrejë zinxhirin ftohës këtu.
“Del strategjia e vaksinimit! Varianti A: blejmë vaksinën, ngremë zinxhirin ftohës dhe vaksinojmë shqiptarët. Afati: viti 2025! Varianti B: dërgojmë 2.8 milionë shqiptarë të vaksinohen në Antarktidë. Afati: viti 2022…”, shkruan Dasho në postimin e tij.
Gjithë sa dihet derimë tani për vaksinën, është që Shqipëria ka dhënë para për mekanizmin COVAX, që shërben si një ndërmjetës mes kompanive prodhuese të vaksinës dhe shteteve të dorës së dytë apo të tretë, që nuk kanë mundësi kontakti direkte me Pfizer apo Modena. Por Covax ende nuk ka siguruar asnjë sasi dozash të vaksinës, për shkak se ato janë shpërndarë fillimisht në vendet e zhvilluara të cilat kanë marrëdhënie direkte me kompaninë.
E vetmja shpresë që i mbetet Shqipërisë, është ajo që BE të bëjë pjesë të llogarive të saj edhe shtete e Ballkanit Perëndimor, siç është premtuar derimë sot.
(E.K/Faxweb.al)
/faxweb
