Ish Presidenti i Shqipërisë, Alfred Moisiu ka folur për shkëputjen e gjyqtarëve nga politika duke thënë se është e domosdoshme, por rëndësi të veçantë ka fakti që duhet ti çojnë gjërat deri në fund dhe të mendojnë se mbi ligjin nuk ka asgjë.

Ndaj duhet të bëjnë sakrifica të mëdha dhe për politikanët duhet të marrin të gjitha masat e nevojshme duke nisur nga hetimi deri tek arrestimi nëse është e nevojshme.

“Reforma është e domosdoshme. Në këtë situatë ku ndodhet shqipëria është e pamundur të ecim më tej.  Në bazë të Kushtetutës theksova se si duhet të jenë gjyqtarët sipas kësaj reforme, shqyrtohet vettingu, problemi moral, pasuror dhe problemi profesional. Dhe kjo ka një rëndësi të domosdoshme por mungon diçka akoma më e rëndësishme. Është çështja se si këta njerëz janë të vendosur dhe kanë kurajo civile që ti çojnë gjërat deri në fund. Dihet që tek ne politikanët kryesorë janë nga 30 vjet dhe kanë krijuar hije të fuqishme dhe nuk është e lehtë që këta individë që do punojnë në sistemin e ri të drejtësisë të veprojnë ashtu sic duhet ndaj tyre, qoftë për ti hetuar apo për ti arrestuar.

Sepse mendoj që ka probleme të tilla që duhet të çojnë në arrestimin e tyre dhe kjo kërkon sakrificë dhe bindje që mbi ligjin nuk ka asgjë. Ne jemi vend i vogël dhe nuk është e lehtë se kanë familja. Hija ka krijuar dhe lidhje të panjohura me të cilat mund të ushtrohen ndikime nga më të ndryshmet deri në veprim terrori. Këtu e ngre problemin që këta që janë zgjedhur duhet të veprojnë. Nëse nuk e bëjnë këtë punë të largohen me nder ose të zëvendësohen”, u shpreh Moisiu.

Sa i përket fokusit të aktivitetit të tij, Moisiu zbuloi në një intervistë për gazetaren e Fax News, Rovena Cerka, se synimi është që të krijojë ambient mirëkuptimi dhe të rrisë ndikimin e Shqipërisë në vendet e rajonit.

“Ne jemi pjesë e Ballkanit dhe secili prej nesh që ka mbajtur një post të rëndësishëm politik në vendin tonë është i interesuar për punë se jemi e vetmja vatër në Europë që mund të shkaktojë shqetësime. Konferenca e sotme, një nga problemet që trajtoi është që të krijojmë ambient mirëkuptimi mes vendeve të rajonit dhe janë hedhur hapa të rëndësishëm. Duhet të rrisim ndikimin tonë.

Nuk ecet më kështu. Duhet të merremi vesh se s’bën. Unë përmend një thënie se “mikun dhe shokun mund ta zgjedhësh, por fqinjin ta jep Zoti”. Detyra jonë duhet të jetë që si të gjejmë mënyrën si të jetojmë në mënyrën më paqësore me njëri-tjetrin”, tha Moisiu.(A.M/Faxweb.al)



/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re