Ministri i Brendshëm, Taulant Balla nga foltorja e Kuvendit u shpreh se ka ardhur koha që edhe nga deputetët e opozitës të mbahet një qëndrim i përbashkët sa i takon fenomenit të zjarrvënies me pasoja.

Sipas Ballës, në pjesën me të madhe të rasteve, zjarret nuk kanë ardhur nga temperaturat e larta, por nga njerëz të papërgjegjshëm.

Balla citoi Kodin Penal, që sic tha ai parashikon deri në 15 vite burg kush shkakton zjarre me pasoja.

“Ndjej përgjegjësinë të informoj kuvendin dhe publikun për situatën e deritanishme me zjarret. Për të kërkuar edhe nga deputetët e Kuvendit edhe të krahut të opozitës që ka ardhur koha edhe ndaj këtij fenomeni të mbahet një qëndrim i përbashkët.

E vërteta është që në pjesën e tyre më të madhe, zjarret nuk kanë ardhur për shkak të temperaturës së lartë, por kanë ardhur nga fenomeni i zjarrvënies. Njerëz të papërgjegjshëm, të cilët deri më tani nuk kanë vënë mend sepse ky fenomen ka ekzistuar vendosin në mënyrë të papërgjegjshme flakën.

Në Patos një banor me pretendimin se po digjet ferrat e tij i vuri zjarrin gjithë Patosit. Edhe në rastin e Pishporos dhe Darezëzës, jeni njohur me informacionin e policisë që personi i dyshuar është arrestuar, zjarrvënia ka qenë e qëllimshme dhe besoj që këtu duhet të mirëpresim edhe apelin e opozitës që fatkeqësisht nuk e ka bërë deri më sot. Me aq shumë konferenca për shtyp që bëni,  3 foltorja, 4 PD edhe ca të tjerë, harxhoni një qëndrim të vetëm, nuk e kam për politikë, por si nevojë për ti folur me të njëjtën gjuhë drejtësisë.

Dënimi maksimal për ata që e vendosin zjarrin duke shkaktuar dëme, 15 vite përcakton kodi penal ndaj atyre që vendosin zjarre. Unë kam parë një sërë rastesh, por më flagranti i qëndrimit të kundërt me atë që është interesi kombëtar është një prej zjarreve në Kurbin, ku foltoristë të opozitës jo vetëm që nuk mbajnë krahun e drejtësisë, por marrin përsipër që në “faqebukun” e tyre të marrin në mbrojtje autorin, me pretendimin se kishte harruar celularin aty ku kishte vënë zjarrin. Kjo është e rëndë. Mund të keni gjithçka me mua, por jo me policinë e shtetit. Do ta kërkoj mbështetjen e kolegëve të opozitës. Fenomeni i zjarrvënies duhet të goditet”, tha ndër të tjera ministri Balla.

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re